Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar një telefonatë në linjën e rezervuar me Vladimir Putin, që sipas palës ruse ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë. Ky është komunikimi i 4-ërt mes dy liderëve këtë vit.

Nga ana ruse, këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, e ka cilësuar bisedën “shumë konstruktive”, duke theksuar se ajo nisi me urime nga Putin për Trump dhe popullin amerikan me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve. Sipas tij, u përmend edhe “kontributi i Rusisë në formimin e shtetit amerikan” dhe rëndësia e respektimit të historisë së përbashkët.

Ushakov ka thënë gjithashtu se të dy palët kanë folur për luftën në Ukrainë, ku Trump ka konfirmuar angazhimin e ndërmjetësuesve të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

Moska, nga ana e saj, ka përsëritur qëndrimin se çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh “qëndrimet e saj parimore”, duke lënë të kuptohet se kërkon kontroll mbi Donbasin.

Sipas narrativës së Kremlinit, forcat ruse po përparojnë në front dhe po marrin nën kontroll zona të reja në rajonin e Donetskut, gjë që Kievi e kundërshton, duke thënë se luftimet vazhdojnë dhe sulmet po zmbrapsen.

Biseda mes Trump dhe Putin vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, pak para samitit të NATO-s në Ankara, ku priten diskutime të rëndësishme për luftën në Ukrainë dhe mbështetjen për Kievin.

Media ruse e ka paraqitur telefonatën si një sinjal të rëndësishëm politik, duke sugjeruar se SHBA-të mund të mos kundërshtojnë plotësisht qasjen e saj në konflikt. Ndërkohë, zëra kritikë brenda Rusisë, përfshirë ish-presidentin Dmitrij Medvedev, kanë theksuar se SHBA-të nuk duhet të marrë vendime në emër të vendeve të tjera.

Sipas analizës së Corriere della Sera, Moska i sheh ende SHBA-të si një faktor vendimtar në zhvillimet e luftës në Ukrainë, veçanërisht në prag të samitit të NATO-s.