Nga Gëzim Kabashi
Ansambli instrumental “Siglo XX”, i drejtuar nga violinisti shqiptar Florian Vlashi ia ka kushtuar koncertin e fundit, personelit mjekësor dhe sakrificës së tyre në ndihmë të pacientëve gjatë muajve të Covid 19. Spanja ishte një nga vendet më të goditura nga virusi.
Spektatorët në Teatrin Colon të Korunjas munguan për shkak të masave të marra për shkak të pandemisë, por ata e ndoqën shfaqjen drejtpërdrejt në kanalin streaming youtube të Orkestrës Sinfonike të Galicisë, anëtarë të së cilës janë katër interpretët e koncertit.
Bashkë me Florian Vlashin, Raymond Arteaga (violë) dhe Ruslana Prokopenko (violonçel), peshën kryesore të koncertit e përballoi Steve Harrisëanngler në fagot, i cili ishte interpreti kryesor në katër veprat e përzgjedhura të kompozitorëve Georg Wenzel Ritter dhe Francois Devienne.
“Është gjithçka e çuditshme, të luash në një teatër bosh, pa ndjerë praninë e publikut, por duhet të përshtatemi – tha para koncertit violinisti Florian Vlashi, duke shtuar: Kemi luajtur këto kohë “bashkë” virtualisht, por nuk ka gjë më të bukur të jemi në krah njeri-tjetrit për t´i dhënë jetë një partiture. Veprat që luajmë janë të shkëlqyera, duam të interpretojmë diçka që të transmetojë energji pozitive, për ne dhe për publikun”.
Shtypi spanjoll i kushtoi vemendje të veçantë shfaqjes, ndërsa komentet e publikut pas koncertit në youtube ishin mjaft të ndjera. Siç shkruan një nga dëgjueset “Shumë prekës ky dedikim për personelin sanitar, heronjtë e momentit. Urime dhe bekime muzikantëve, të cilët me artin e tyre po kontribuojnë që Drita të rikthehet në Planetin tonë”.
Ansambli “Shekulli XX” është themeluar në vitin 1996 nga violinisti Florian Vlashi, i cili prej afro 30 vitesh është violinist në Orkestrën Sinfonike të Galicisë në La Coruna (Spanjë).
Shtypi spanjoll për koncertin
Gazeta “La Voz de Galicia”
Intervistë e shkrimtarit dhe gazetarit Luis Pousa me Florian Vlashin.
“Është kënaqësi të luajmë përsëri bashkë.”
“Kur hyra në sallë, për herë të parë pas dy muajsh, u emocionova”.
Izolimi nga koronavirusi ka penguar mjeshtrat e orkestrës me selinë në Pallatin e Operas që të bashkohen për të luajtur.
“Për ne është diçka absolutisht thelbësore sepse puna jonë është të bëjmë muzikë bashkë.”
Është gjithçka e çuditshme, të luash në një teatër bosh, pa ndjerë praninë e publikut, por duhet të përshtatemi.”
Veprat që luajmë janë të shkëlqyera, duam të interpretojmë diçka që të transmetojë energji pozitive, për ne dhe pë publikun.
Kemi luajtur këto kohë “bashkë” virtualisht, por nuk ka gjë më të bukur të jemi në krah njeri-tjetrit për t´i dhënë jetë një partiture. Pavarësisht kufizimeve, sensacionet janë pozitive. Pjesët e ingranazhit po fillojnë të funksionojnë
Gazeta “La Opinión”
“Një përqafim muzikor” për t´u ritakuar”
Florian Vlashi ka 40 vite me të njëjtin ritual në skenë. Kur koncerti mbaron dhe nota e fundit lë shenjën si yll në ajër, vendos violinën më një anë dhe përqafohet me kolegët e koncertit që festojnë dhe urojnë njëri-tjetrin me përqafime dhe shtrëngime duarsh për suksesin e rradhës.
“Nga të gjitha ndryshimet që solli Covid-19, heqja e këtij xhesti të vogël do të jetë nga gjërat më të vështira, moment i cili do na mungojë të gjithëve.
Do të jetë e vështirë të luash në distancë, sepse duhet gjetur niveli i harmonizimit ndërmjet muzikantëve. Mos të dëgjosh fërkimin e harkut mbi tela të kolegut pranë do të jetë një boshllëk, ashtu si edhe mungesa e publikut.
Do të na mungojë “frymëmarrja e njërezve” dhe “tensioni” që krijohet por, megjithate, është më mirë kështu sesa të luash vetëm në shtëpi.
Të gjithë kemi diçka nga muzikantét e Titanikut. Luajmë edhe në momente katastrofash, dhe nuk e dimë a e bëjmë më shumë për të tjerët apo për vete.”