Dua Lipa vazhdon të thyejë rekorde dhe të shkruajë historinë e muzikës. Ylli me origjinë shqiptare është bërë artistja e parë femër që ka katër këngë, secila me më shumë se 2 miliardë dëgjime në Spotify.
Rekordi i saj më i fundit u arrit pasi superhiti “Levitating” iu bashkua ekskluzivisht “Klubit të 2 Miliardëve” në platformën më të madhe të transmetimit të muzikës në botë.
Në këtë listë bëjnë pjesë edhe hitet “Don’t Start Now”, “One Kiss” dhe “New Rules”, të cilat kanë grumbulluar miliarda dëgjime nga fansat në mbarë botën. Mes tyre, “Don’t Start Now” mbetet kënga më e suksesshme, me mbi 2.5 miliardë transmetime.
Edhe pse Billie Eilish dhe Olivia Rodrigo kanë më shumë se një këngë që ka kaluar kufirin e 2 miliardë dëgjimeve në Spotify, që nga marsi i vitit 2024 Dua Lipa mbetet artistja e vetme femër me katër këngë që kanë arritur këtë shifër historike.
Përveç këtij suksesi, këngëtarja ka qenë në qendër të vëmendjes edhe me projektet e saj më të fundit. Ajo u rikthye me këngët “Houdini” dhe “Training Season”, ndërsa “Dance the Night”, pjesë e kolonës zanore të filmit “Barbie”, i siguroi dy nominime në çmimet Grammy.
Me rekorde të njëpasnjëshme dhe hite që dominojnë klasifikimet muzikore, Dua Lipa vazhdon të konfirmojë statusin e saj si një prej artisteve më të suksesshme të muzikës pop në nivel botëror.





