Tensionohen situata mbrëmjen e së dielës në njësinë administrative Manzë. Me dhjetëra qytetarë kanë dalë në rrugë dhe kanë bllokuar rrugën për të penguar derdhjen e të tjera plehrave të Durrësit në landfillin e qytezës së vogël.
Në rrugë vihet re dhe administratori i kësaj njësie administrative që debaton me qytetarë.
Prej dy ditësh, banorët e Manzës kundërshtojnë depozitimin e mbetjeve urbane në landfillin e tyre, pasi sipas tyre u kërcënohet jeta dhe shëndeti.
DurrësLajm publikoi orë më parë sesi digjeshin gjatë natës dhe gjatë ditës mbeturinnat e depozituara në landfill, duke rrezikuar një katastrofë mjedisore.
Ditë më parë ishin banorët e Sukthit ata që kundërshtuan me protesta depozitimin e plehrave në landfillin e tyre.
Bashkia e Durrësit në pamundësi për të gjetur një zgjidhje me qeverinë për dërgimin e plehrave në Sharrë (që rrit së tepërmi koston e transportit) po mundohet të derdhë plehrat ku të mundet, ndërkohë që kazanët në qytet janë plot e përplot pasi nuk tërhiqen prej ditësh.





