Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Vendtakimi”, duke vënë në pranga pronarin 56-vjeçar të një lokali në bulevardin “Zhan d’Ark” dhe një 33-vjeçar, pasi ambienti dyshohet se shërbente për shitje të lëndëve narkotike dhe organizim të basteve sportive.

Gjatë kontrollit, efektivët kanë kapur në flagrancë 33-vjeçarin duke vendosur baste përmes celularit, ndërkohë që janë sekuestruar sasi të dyshuara kanabisi dhe pajisje elektronike.

Uniformat blu nbëjnë me dije se, materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për akuzat e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Njoftimi i Policisë:

“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Vendtakimi”. Zbulohet një lokal në bulevardin “Zhan d’Ark”, i përshtatur për përdorim/shitje të lëndëve narkotike dhe për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Vihen në pranga 2 shtetas: pronari i lokalit dhe një shtetas që u kap në flagrancë, duke vënë baste sportive. Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 3 celularë që përdoreshin për lojëra fati.

Në vijim të kontrolleve në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të vënies së tyre në dispozicion të veprimtarive kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Vendtakimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Z. T., 56 vjeç dhe G. E., 33 vjeç. Gjatë kontrolleve në ambientet e lokalit të 56-vjeçarit, në bulevardin “Zhan d’Ark”, u gjetën sasi Cannabisi dhe 3 celularë me të cilët viheshin baste sportive. Ndërkaq, 33-vjeçari u kap në flagrancë, në ambientet e lokalit, duke vënë baste, me celular. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia.