Një humbje në fund që djeg. Teuta u mposht në Ballsh nga një gol i Jurgen Goxhajt në minutën e 90-të, dhe trajneri Edi Martini e justifikoi këtë disfatë, me mungesat. Gjithsesi në emisionin Gol pas Goli në Supersport ai nënvizoi se durrsakët nuk do të heqin dorë nga objektivat që kanë në këtë sezon.
“Aleksi dhe Çyrbja janë lojtarët tanë kryesorë. Humbëm energji me Kallakun prapa dhe nuk ishim të fortë në sulm. Djemtë e rinj luajtën mirë. Nuk shënuam dot dhe në fund humbëm”, tha Martini, i cili më pas u pyet edhe për mungesën e golave nga sulmuesit.
“Edhe Kallaku që u kthye prapa, prej Aleksit, na dëmtoi shumë në fazën sulmuese. E shtymë para në pjesën e dytë, por nuk funksionoi ashtu siç duhet. Morëm një humbje të pamerituar me Bylisin”, shtoi shkodrani.
“Loja vertikale mungon? Është e vërtetë, sidomos ndeshjen e sotme. Ne kemi vertikalizuar me Kallakun në sulm, duke e futur pas shpinës së sulmuesit. Mungesa e Çyrbjes na e vështirësoi. Gjithashtu ka edhe një filozofi loje të mëparshme. Këto lojtarë kemi, do luftojmë me ta. Dy mungesa janë shumë, zëvendësimet janë me pikatore. Nuk kemi pse justifikohemi, të shohim para dhe të realizojmë objektivat”.





