Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Laçit, ku mbeti i vrarë Ilir Lika, rreth 40 vjeç.
Dyshohet se autorët e kanë ndjekur 40-vjeçarin deri në momentin kur e ekzekutuan pranë apartamentit të tij. Viktima kishte parkuar automjetin disa metra larg banesës dhe po ecte në këmbë, kur është qëlluar me të paktën shtatë plumba. Njëri prej tyre e ka goditur në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
40-vjeçari përdorte edhe tre mbiemra të tjerë, alias Lika, alias Kokaj dhe alias Nure. Ky fakt ka ngritur dyshime tek autoritetet, të cilat po hetojnë edhe mbi të kaluarën e tij dhe nëse ka pasur precedentë apo lidhje me veprimtari kriminale.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. Një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhet me të kaluarën e viktimës dhe konfliktet e mundshme që ai mund të ketë pasur.





