Thibaut Courtois nuk donte të largohej nga fusha e lojës në ndeshjen mes Spanjës dhe Belgjikës. Vetë portieri e pohoi këtë në intervistat e dhënë pas humbjes ndaj La Rojas që vulosi eliminimin e Red Devils në çerekfinale me Courtois që nuk i mbajti lotët në momentin që la fushën e lojës.
‘Ndjeva diçka pas një rivënie të gjatë të topit, mendova se ishte vetëm tension muskular në bicepsin femoral pas shumë lëshimeve. Më pas ndjeva një përkeqësim, u ula për t’u vizituar nga mjeku-tha Courtois-doja të vazhdoja, por nuk ia dilja dot të shkelmoja mirë topin. Trajneri më tha se nëse nuk isha në 100% do të më zëvendësonte. I thashë se nuk isha mirë, por doja ta tentoja edhe njëherë. Mendova se duke evituar rivëniet e gjata do të mund të vazhdoja. Por, është mirë kështu, nëse trajneri do një lojtar në 100% të formës është e drejtë që të jetë kështu’.
Në vendin e tij hyri Senne Lammens që u bë menjëherë protagonist negativ me kthimin e shkurtër të topit nga ana e tij që solli golin vendimtar të Merinos, por Courtois e mbrojti zëvendësin e tij.
‘Kështu është futbolli, nuk është e nevojshme të kryqëzosh atë djalë, është një portier i shkëlqyer që ka bërë një sezon fantastik te Manchester United dhe nuk e meriton këtë’-shtoi Courtois
Ndërkaq, në Belgjikë kanë filluar të bëhen kritika të ashpra në drejtim të trajnerit Rudi Garcia. Ish trajneri i Napolit dhe Romës u shënjestrua nga opinionistët dhe komentatorët për gabimin me zëvendësimin e Courtois dhe për menaxhimin e burimeve të skuadrës, duke përfshirë këtu edhe formacionin titullar që ishte ndryshuar në krahasim me ndeshjen ndaj SHBA me Garcian që kishte aktivizuar në mënyrë surprizë Witsel.
A do të mjaftojë alibia e dëmtimeve për francezin që të qëndrojë në pankinën e Belgjikës? Arritja e çerekfinaleve të Botërorit është një rezultat që e favorizon, por Federata Belge mund të shohë sërish vërdallë, pas pak më shumë se një vit që nga ndryshimi i fundit në pankinën e Red Devils.





