Rusët duket se janë në prag të një krize nervash. Frustrimi po ia lë vendin ankthit dhe zemërimit ndaj pushtetit. Lufta në Ukrainë nuk është më një jehonë e largët, por ka hyrë drejtpërdrejt në jetën e tyre, duke u shfaqur përmes mungesave kronike të karburantit, ndërprerjeve të vazhdueshme të internetit, zhdukjes së shumë produkteve nga raftet e dyqaneve dhe rritjes së çmimeve.

Një nga produktet më simbolike për rusët, patatja (“kartoshka”), është shtrenjtuar me 4.5% vetëm brenda një muaji. Ndërkohë, edhe presidenti rus Vladimir Putin po përballet me një rënie të mbështetjes, duke arritur nivelin më të ulët të popullaritetit në katër vitet e fundit.

“Çfarë të bëjmë?”, pyeste dikur Lenini në një nga veprat e tij më të njohura. E njëjta dilemë duket se po përballet sot edhe lideri rus: të zgjedhë një përshkallëzim të ri të luftës apo të pranojë koston e lartë njerëzore dhe ekonomike që do të sillte një vazhdim i konfliktit.

Sinjalet që vijnë nga Moska janë kontradiktore. Sipas burimeve pranë Kremlinit të cituara nga agjencia Reuters, Putini ndodhet nën presion të madh për të rifilluar negociatat me Kievin, por ai po reziston dhe thuhet se është i vendosur të nisë ofensiva të reja në muajt e ardhshëm.

Sipas këtyre burimeve, zemërimin e presidentit rus e kanë shtuar sulmet e fundit ukrainase me dronë në thellësi të territorit rus, të cilat kanë goditur objekte industriale, depo nafte dhe porte strategjike. Këto sulme kanë dëmtuar një pjesë të konsiderueshme të kapacitetit rus të përpunimit të naftës.

Në kundërpërgjigje, Rusia ka ndërmarrë dy sulme masive me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, veçanërisht ndaj kryeqytetit Kiev, duke shkaktuar viktima mes civilëve.

Një prej burimeve të Reuters, që thuhet se ka kontakte të rregullta me presidentin rus, ka deklaruar se Putini ka refuzuar së fundmi këshillën e disa bashkëpunëtorëve për të pranuar një armëpushim në vijën aktuale të frontit.

Sipas këtij burimi, lideri i Kremlinit mbetet i fokusuar te objektivi për të marrë kontrollin e plotë të rajonit lindor të Ukrainës, Donbasit, dhe beson se kjo mund të arrihet së shpejti.

Por një operacion për pushtimin e plotë të Donbasit do të kërkonte një mobilizim të ri ushtarak, pra rikthimin e rekrutimit të detyruar, një masë jashtëzakonisht jopopullore që Putini ka shmangur që nga fillimi i luftës.

Një sinjal në të njëjtën linjë erdhi edhe nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se Rusia mbetet e gatshme për një zgjidhje diplomatike, por në të njëjtën kohë ka kapacitete për të vazhduar “operacionin ushtarak special”.

Peskov deklaroi se Moska po kërkon të zgjerojë “zonën tampon”, një term që analistët e interpretojnë si një sinjal për synimin e Rusisë për të avancuar më tej në Donbas.

Në muajin qershor, Putin kishte refuzuar publikisht edhe propozimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një takim që do të synonte arritjen e një armëpushimi.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit në Moskë vijnë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili pas një bisede telefonike me Putinin tha se lideri rus dëshiron t’i japë fund luftës dhe se një marrëveshje paqeje mund të jetë “më afër nga sa mendohet”.

Shërbimet inteligjente ukrainase vlerësojnë se Putini po përgatit një përshkallëzim të ri në Ukrainë dhe madje po shqyrton mundësinë e një sulmi të kufizuar ndaj territorit të një vendi perëndimor, për shembull ndaj një baze të NATO-s në një prej vendeve baltike.

Edhe pse ky skenar konsiderohet i rrezikshëm dhe i vështirë për t’u realizuar, disa analistë ushtarakë perëndimorë mendojnë se Rusia mund ta përdorë një veprim të tillë për të krijuar tensione dhe për të testuar unitetin e Aleancës.

Në këtë rast do të vihej në provë edhe angazhimi i NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj njërit prej vendeve anëtare konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës, në bazë të nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.