Mediat ndërkombëtare, përfshirë ato spanjolle, “El Nacional” po e kthejnë vëmendjen nga Shqipëria, duke e cilësuar si destinacionin më ekonomik dhe më të virgjër të Europës për këtë verë.
Riviera Shqiptare, me në krye Ksamilin, po krahasohet me Karaibet për nga uji i kristaltë dhe rëra e bardhë.
Ndryshe nga pjesa tjetër e Mesdheut, shërbimet e plazhit mbeten mjaft të lira, 5–10 euro çadra me shezlong.
Por veç rivierës, Shqipëria ofron edhe natyrë të bukur. Alpet dhe fshati i Thethit janë kthyer në epiqendrën e të apasionuarve pas ecjeve malore, ku spikat itinerari spektakolar Theth-Valbonë.
Atraksionet natyrore si “Syri i Kaltër”dhe qytetet historike nën mbrojtjen e UNESCO-s, si Berati dhe Gjirokastra, ofrojnë një alternativë të pasur kulturore për vizitorët e huaj.
Një prej pikave të forta është edhe gastronomia. Sipas artikullit kuzhina shqiptare përfaqëson një ndërthurje të traditave kulinare turke, ballkanike dhe mesdhetare, të cilat e bëjnë kuzhinën vertetë speciale.
Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj si një xhevahir ende i paprekur nga turizmi masiv, duke ndërthurur aventurën, historinë dhe çmimet mjaft konkurruese në një paketë të vetme.





