Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, deklaroi se vendi po forcon rolin e tij në sigurinë euroatlantike dhe po investon në zhvillimin e një industrie moderne të mbrojtjes.
Koçiu u ndal te fakti që Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s në vitin 2027, ndërsa theksoi se investimet në sektorin e mbrojtjes po shoqërohen me rritje të kapaciteteve prodhuese dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ajo u ndal te projekti i Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, ku po zhvillohet një investim prej 13.2 milionë eurosh për prodhimin e uniformave dhe pajisjeve ushtarake. Sipas saj, ky projekt pritet të sjellë rreth 1200 vende të reja pune dhe të hapë mundësi për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Koçiu tha gjithashtu se përmes bashkëpunimeve me kompani si TIMAK Defence, “Myslym Keta Defence” dhe partneritetit me kompaninë italiane Fincantieri, Shqipëria po ndërton një zinxhir të integruar të industrisë së mbrojtjes.
Ajo nënvizoi se qeveria ka rritur financimin për mbrojtjen, me 10.3 miliardë lekë shtesë në buxhetin e vitit 2026, duke e çuar nivelin e financimit në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me angazhimet në kuadër të NATO-s.
Fjala e plotë:
Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s në 2027, një arritje që reflekton besimin e aleatëve dhe rolin gjithnjë e në rritje të vendit në sigurinë euroatlantike. Ky angazhim po mbështetet me investime konkrete, rritje të kapaciteteve dhe zhvillimin e një industrie moderne të mbrojtjes.
Në kantierin e ndërtimit të Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, po merr formë një projekt që shkon përtej investimit në prodhimin e uniformave dhe pajisjeve ushtarake. Investimi prej 13.2 milionë eurosh, pjesë e marrëveshjes fillestare me MSSC Group, hap një drejtim të ri strategjik për Shqipërinë. Në një kohë kur vendet e NATO-s po rrisin investimet në mbrojtje, me objektivin për të arritur deri në 5% të PBB-së, Qeveria Shqiptare ka rritur mbështetjen për sektorin e mbrojtjes.
Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, kemi miratuar 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e rritur financimin në 2.6% të PBB-së në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s. Shqipëria është gati të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes.
Tradita në manifakturë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe afërsia me tregjet europiane janë avantazhe reale që po kthehen në kapacitete konkrete, duke projektuar, prodhuar dhe eksportuar produkte për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në tregjet ndërkombëtare. Me 1200 vende të reja pune dhe 3 kontrata të nënshkruara për furnizimin me veshje të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për periudhën 2026–2028, Guna Tactical po jep rezultatet e para konkrete. Kjo nuk është një histori suksesi e izoluar.
Së bashku me TIMAK Defence, dhe me “Myslym Keta Defence” po krijohet një zinxhir i integruar i industrisë së mbrojtjes shqiptare, i mbështetur nga partneritete strategjike që sjellin investime, teknologji dhe punësim të kualifikuar. Një tjeter arritje konkrete është partneriteti me Fincantieri. Përmes KAYO-s, Shqipëria po hyn në një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin e mjeteve lundruese, me synim edhe eksportin.
Aktiviteti në Pashaliman do të rrisë kapacitetet e Forcës Detare, dhe do ta pozicionojë vendin si një pikë referimi për mirëmbajtjen dhe prodhimin e anijeve për partnerët e NATO-s. Ky është vizioni ynë për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, ekonominë dhe integrimin në zinxhirët ndërkombëtarë të teknologjisë dhe prodhimit.





