Pas banorëve të Sukthit, edhe banorët e Manzës janë ngritur sot në protestë kundër depozitimit të plehrave të Durrësit në territorin e tyre.
Ata shprehen se nuk janë kundër pastrimit të landfillit të Durrësit por kundër transportimit të mbeturinave në Manëz, pasi kjo zonë nuk përballon dot as mbeturinat e banorëve vendas.
“Gjatë ditëve të fundit kanë ardhë pafund kamiona me plehra nga Durrësi. Jemi dakort që landfilli Durrësit të bëhet zonë e pastër, por ama të merren plehrat dhe të shkojnë në vendin e caktuar, në Sharrë. T’i marrë kryeministri, t’i marrë zonja Sako e dytë, t’’ mbajë te shtëpia e saj, por jo ti sjellë në Manëz.”, shprehet një banor.
I shqetësuar nga ndotja mjedisore që shkaktohet në qytezë, një banor thotë se pas tërmetit dhe pandemisë së koronavirusit, sjellja e mbetjeve urbane do të jetë fatkeqësia e tretë për këtë zonë.
“Shihni çfarë katastrofe bëhet, digjen plehrat natën, vijnë nga 15 kamiona në natë. Kjo është masakër ambientaliste, ka qenë zonë shumë e bukur këtu. Nuk mjaftoi tërmeti, nuk mjaftoi koronavirusi? Duhet të ndodhë edhe kjo..”
Një nga banorët tregon se kanë rikthyer mbrapsh kamionët e ngarkuar me mbeturina urbane çfarë ka bërë që një natë më parë, automjetet të shoqërohen edhe nga forcat e policisë.





