Kampionati do të ketë një ngjeshje të ndeshjeve dhe në fundjavë do të luhet përsëri. Teuta udhëton në Ballsh, në startin e fazës së katërt në të cilën duket se do të kenë jo pak probleme.

Krahas lojtarëve që janë në karantinë, në sfidën me Laçin u dëmtua edhe Arbër Çyrbja. Jo vetëm kaq, por edhe Aleksi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të jetë i pezulluar. Për mesfushorin anësor skuadra është në ankth teksa dëmtimi i Çyrbes duket i rëndë.

Stafi mjekësor do të jetë me sytë nga përgjigjet e rezonancës magnetike. Lojtari ka marrë një ndërhyrje anësore dhe ka pësuar dëmtim në gju. Edhe pse në klub shpresojnë që ai të mos rrezikojë sfidën e radhës, mjaft e rëndësishme që e luajnë në “Adush Muça”, asgjë nuk është e sigurt se ai mund të rikuperohet në kohë kaq rekord dhe alarmi mbetet prezent.

Ai mori një goditje rreth mesit të pjesës së parë të ndeshjes ndaj kurbinasve. Ndërhyrja nga pas i shkaktoi një goditje në gju. Pas ndihmës mjekësore, Çyrbja kërkoi dhe rifilloi edhe një herë ndeshjen. Mirëpo, mesfushori i Teutës nuk rezistoi dot në fushë, megjithëse tentoi që të sakrifikonte për të qëndruar deri në fund në fushë.

Teuta s’ka kohë për të humbur teksa vijon përgatitjet për ndeshjen e së dielës me Bylisin. Përpos rezultatit të fundit në kampin blu, atmosfera është optimiste për ndeshjen e radhës.

Seanca e djeshme e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, për dyshen Martini-Hodo kishte të bënte më së shumti me korrigjimin e të metave dhe dobësive të treguara në ndeshjen e fundit. Ritmi i stërvitjeve vazhdon të jetë i lartë, skuadra punoi me ushtrime të kombinuara për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike.

Muaji qershor do të heqë një pjesë të madhe të pikëpyetjeve që rrethojnë të tashmen dhe të ardhmen e Teutës. Sfidat me Bylisin, Tiranën, Luftëtarin dhe Vllazninë do të hedhin dritë mbi të ardhmen.

Në këtë optikë, 450 minutat e radhës konsiderohen si shumë të rëndësishme pasi trajneri Martini pret përgjigje të rëndësishme nga grupi i tij. Gjysma e parë e fazës së fundit mund të shërbejë si baza e ecurisë për realizimin e objektivave të Teutës këtë sezon në kampionat, pa harruar që në lojë është edhe Kupa e Shqipërisë.