Në javën e parë të qershorit, që përkon me hapjen e sezonit turistik, Durrësi po përballet me pirgjet me plehra.

Kazanët nëpër lagje janë të tejmbushur dhe mbeturinat po zënë edhe trotuaret. Kamionët e NSHK-së janë plot prej disa ditësh dhe nuk mund të tërheqin mbeturinat e tjera. Plehrat kanë “mbirë” edhe në derë të bashkisë, pasi nuk mund t’i tërheqë dot.

E gjithë kjo situatë krijohet kur Durrësi po pret me shpresë të rimëkëmbet disi pas dy goditjeve të forta, tërmetit dhe pandemisë Covid-19 dhe është me sytë nga sezoni turistik dhe turistët e parë që pritet të mbërrijnë.

Në fushën e plehrave në Porto Romano ka nisur zbatimi i projektit për ndërtimin e Eko-Parkut në Porto Romano, pa gjetur më parë një zgjidhje për depozitimin e rreth 250 tonë mbeturina që krijohen çdo ditë në qytetin bregdetar.

Pasojat i vuajnë qytetarët durrsakë, që era e mbeturinave që dekompozohen u çajnë hundët prej disa ditësh (fotot e mësipërme janë nga qendra e Durrësit, në periferi situata është edhe më alarmante). Pasojat pritet t’i vuajë edhe turizmi nëse nuk gjendet një zgjidhje urgjente, pasi nuk ka turist që vjen për të parë mbeturinat që mbushin trotuaret.

Pasojat mund t’i vuajnë edhe banorët e Sukthit, të cilëve duan t’ua çojnë malet me plehra në derë të shtëpisë.

Ekonomia e dytë në vend deri në vitin 2017, (fatkeqësisht në 2018 kishim rënë në vendin e katërt) Durrësi vuan pasojat e keqqeverisjes, mungesës së vizionit të pushtetarëve dhe mos dëgjimit të zërit qytetar dhe ekspertëve.  

Megjithëse Durrësi vuante “kancerin” që lëshohej në ajër nga djegia e mbeturinave në qiell të hapur, asnjëherë nuk u lobua pranë qeverisë për ndërtimin e një landfilli, që do të bënte përpunimin e mbeturinave urbane. Përkundrazi u lobua për mijëra metra katrorë sipërfaqe betoni, që kanë mbirë në çdo cep të Durrësit, madje edhe mu në mes të zonës arkeologjike “A”.

Pasi i ka lënë prej 6 muajsh banorët e dëmtuar nga tërmeti të paqartë për fatin e shtëpive të tyre dhe kur nuk ka nisur të vihet një gur për procesin e Rindërtimit, qeveria i sjell “dhuratë” Durrësit malet me plehra.

Në fund të muajit maj, ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se ishte e tmerruar nga ajo që e cilësoi “shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie” pas një takimi që kreu i PD Lulzim Basha zhvilloi me demokratë në ish-Kënetë. Ministrja ishte e tmerruar nga grumbullimi i njerëzve, ndërkohë që megjithëse pandemia Covid-19 është ende mes nesh nuk ka bërë asnjë reagim për pirgjet me mbeturina në çdo lagje të Durrësit dhe zona periferike, megjithëse këto ditë ato kanë qenë ndër lajmet kryesore në mediet kombëtare dhe lokale.

Qeveria që është aq e preokupuar nga grumbullimet e njerëzve, po bën qorren këto ditë, kur Durrësi turistik është nën pushtetin e plehrave, ndërkohë që rekomandohet higjienë maksimale dhe dezinfektime të herëpashershme për të luftuar pandeminë.

Nesër është fundjavë dhe bizneset turistike janë në pritje të turistëve të parë. Por si mund të bëhet turizëm mes plehrash???

M.B.