Xhentil Bardhi 24 vjeç, njëri nga dy vëllezërit që u ekzekutuan mbrëmë në Krujë kishte ndjekur dhe mbaruar seminarin e priftërinjve në Shkodër dhe gjatë pauzës 2-vjeçare që i jepet për t’u menduar dhe vendosur nëse pranon që të bëhen apo jo prift ka hequr dorë.

Pas ngjarjes së mbrëmshme ka reaguar i pikëlluar edhe Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit Dom Gjergj Meta.

“Sa shumë gjana kisha me të thanë sot more Gjon. Por për tash po te them vetëm lamtumirë! E me fal që nuk munda me mbërritë në kohë …Lamtumirë Gjoni i mirë! Lutju Zotit për ne”, shkruan ai.

Dy vëllezërit Bardhi, Gramozi 34 dhe Xhentili 24 vjeç, u ekzekutuan me armë zjarri kallashnikov mbrëmjen e së enjtes në fshatin Gramëz të Krujës, teksa ndërruan jetë rrugës për në spitalin e Traumës. 

Mbrëmjen e djeshme pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, autori Roland Pula ka shkuar ka marrë armën kallashnikov dhe u ka zënë pritë dy vëllezërve pranë banesës duke i qëlluar me breshëri më pas u largua me shpejtësi në errësirë.

Forcat e Policisë së Krujës, DVP Durrës, FNSH e Renea janë në ndjekje të autorit.