Një akt i rëndë vandal ka tronditur Medjugorjen në Bosnje dhe Hercegovinë, një nga qendrat më të njohura të pelegrinazhit katolik në botë.
Një person ende i paidentifikuar i ka vënë flakën altarit të jashtëm të Kishës së Shën Jakobit, ndërsa e gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Sipas informacioneve paraprake, sulmi ndodhi pak pas orës 04:00 të mëngjesit. Përveç zjarrvënies në altar, autori dëmtoi edhe tendën mbrojtëse të tij, e cila ishte rinovuar së fundmi.
Vandalizmi nuk u kufizua vetëm te altari. Dy statuja të Virgjëreshës Mari, njëra në Kodrën e Shfaqjeve dhe tjetra pranë Kryqit Blu, u spërkatën me bojë të zezë. Në vendngjarje u gjetën gjithashtu mbishkrime fyese në gjuhën angleze, mes tyre “Devil in a skirt” (“Djalli me fund”) dhe “Evil” (“E keqja”).
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësim të madh te besimtarët dhe komuniteti katolik, pasi ndodh vetëm pak ditë përpara nisjes së Festivalit Ndërkombëtar të të Rinjve “Mladifest”, një prej ngjarjeve më të mëdha fetare në rajon, që çdo vit mbledh dhjetëra mijëra pelegrinë nga vende të ndryshme të botës.
Autoritetet në Bosnje-Hercegovinë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendin e ngjarjes.
Medjugorja është një nga destinacionet më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë. Që prej vitit 1981, kur gjashtë të rinj pretenduan se kishin përjetuar shfaqje të Virgjëreshës Mari, ky vend ka tërhequr miliona besimtarë çdo vit, duke u shndërruar në një simbol të rëndësishëm të besimit dhe turizmit fetar.





