Jashtë kontrollit mbetet zjarri i madh në Rethimno të Kretës, ku erërat e fuqishme kanë krijuar një front prej më shumë se 15 kilometrash. Mëngjesin e sotëm u përforcuan ndjeshëm forcat tokësore, me 224 zjarrfikës, 53 automjete dhe njëmbëdhjetë ekipe këmbësore.

Mjetet ajrore u ngritën sapo zbardhi, por për shkak të erërave të forta nuk mundën të ndërhynin në pjesën më të madhe të frontit.

Gjatë natës u zhvillua një operacion i madh evakuimi në zonën turistike të Agia Galinit. Rreth dy mijë turistë të huaj u larguan nga hotelet dhe akomodimet e tyre dhe u transferuan në vende të sigurta, në hotele të tjera dhe në palestrën e mbyllur në Iraklio.

Sipas autoriteteve lokale, në total, nga zona më e gjerë e Agia Galinit janë larguar mijëra banorë dhe vizitorë. Për strehimin e tyre janë vënë në dispozicion dyshekë, ushqime dhe sende të nevojës së parë, ndërsa ndihmë ofrojnë Kryqi i Kuq, policia, bashkitë dhe vullnetarët.

Flakët kanë djegur sipërfaqe bujqësore, ullishte, stane, kafshë dhe banesa. Autoritetet thonë se, për momentin, nuk kërcënohet drejtpërdrejt ndonjë zonë e banuar, por situata mbetet jashtëzakonisht e rrezikshme.

Zjarri kishte nisur pasditen e së mërkurës në zonën Kria Vrisi dhe, i shtyrë nga era, u përhap me shpejtësi drejt jugut të Rethimnos.

Në betejën me flakët humbën jetën dy zjarrfikës, 58 dhe 25 vjeç, të cilët u bllokuan nga zjarri. Një zjarrfikës i tretë humbi jetën gjatë një operacioni në një front tjetër zjarri në Gythio të Peloponezit.

Ndërkohë, në Plomari të ishullit Lesvos, situata paraqitet më e përmirësuar, megjithëse erërat shkaktojnë vatra të reja. Flakët ishin afruar pranë banesave, ndërsa u evakuuan pjesë të qytezës. Në Sitia, zjarri është kufizuar në një majë mali të vështirë për t’u arritur dhe nuk kërcënon zona të banuara.

Zjarre u regjistruan edhe në ishuj të tjerë, mes tyre në Paros, ndërsa autoritetet greke mbeten në alarm të lartë, pasi erërat në Egje pritet të arrijnë deri në tetë ballë.