Aktorja Egla Ceno ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë protestës së organizuar në Poliçan, ku qytetarët kundërshtuan draftin e mazhorancës për ndarjen territoriale, sipas të cilit kjo bashki është mes 15 bashkive që pritet të shkrihen.

Aktorja kritikoi Partinë Socialiste, duke theksuar se megjithëse Poliçani ka votuar prej më shumë se dy dekadash në favor të kësaj force politike, sot është lënë në harresë.

E irrituar, ajo tha se në rrjetet sociale dhe në mediat online “i tallin duke i thënë se jeni socialistë”.

“Ku je zotëri, ku janë deputetët e qarkut të Beratit. Ku janë ata që na përfaqësojnë, ku jeni zotërinj?! Ju keni marrë votat tona dhe e dini ca është paradoksi o poliçans, a e dini ca na thonë nëpër media online dhe rrjetet sociale, a e dini si na tallin? Na tallin si socialistë, pra ne jemi socialistë dhe tani vetë PS po na e fut sa krahu, po na shkrin.

Për me shumë se 20 vjet Poliçani ka votuar në përqindje të madhe Partinë Socialiste. Ku i keni sot?! Nuk bëhet fjalë për parti njerëz, bëhet fjalë për mbijetese, bëhet fjalë për shpopullim. Na marrin votën dhe nuk na pyesin, nuk duan t’ia dinë më pas asaj vote.

Për çfarë Poliçani meriton të shkrihet, për çfarë Poliçani na dilka si një vend me një ekonomi të dobët?! Kur Policani ka një aset të çmueshëm, atë uzinën e armëve ku prindërit tanë kanë lënë gjakun. Ajo uzinë pret vetëm të fillojë punë dhe ja ku bëhet ekonomia dhe ja ku forcohet ekonomia”, tha aktorja Egla Ceno.