Adrian Gashi ka reaguar ndaj rehabilitimit të zonës pranë Sfinksit në shëtitoren e Durrësit, duke kritikuar vendosjen e barrierave prej betoni, të cilat sipas tij kanë bllokuar pamjen e detit për qytetarët, turistët dhe bizneset.

“Miliona euro për të fshehur detin?

Shëtitorja e Durrësit është ndërtuar që qytetarët dhe turistët të shijojnë detin, jo betonin. Megjithatë, në rehabilitimin e fundit pranë Sfinksit janë vendosur barriera prej betoni që u kanë zënë pamjen dhjetëra bizneseve dhe mijëra kalimtarëve.

Pyetja është e thjeshtë: pse nuk u zgjodhën zgjidhje më estetike dhe më miqësore me mjedisin? Pse jo pemë që të krijonin hije, gjelbërim dhe një pamje më të bukur, pa e izoluar detin?

Kur investohen miliona euro nga fondet publike, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë projekte që respektojnë identitetin e qytetit dhe përmirësojnë cilësinë e jetës, jo të krijojnë barriera mes njerëzve dhe pasurisë më të madhe të Durrësit.

Deti duhet të jetë pjesë e shëtitores, jo një pamje e fshehur pas betonit.”, shkruan Gashi.