Historiani dhe figura e njohur publike në Trashëgiminë Kulturore Nënujore, Auron Tare, ka bërë një reagim në profilin e tij në “Facebook” lidhur me deklaratën që ka bërë Mohamed Alabar, investitori i projektit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, se ka bërë gabim me Shqipërinë.

Tare thotë se kur bëhen premtime të mëdha për një pasuri strategjike kombëtare, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë zgjedhje. Pas kësaj deklarate publike duhet të vijë edhe një sqarim publik se çfarë po bëhet me Portin e Durrësit.

Statusi i Tares:

“Shqipëria ishte gabim”

Alabari, investitori që u paraqit si njeriu që do t’i sillte Shqipërisë një nga projektet më ambicioze në Europë, sot thotë me gojën e vet: “Në Shqipëri kam bërë gabim.”

Ju kujtohet entuziazmi? Një qeveri e tërë u mobilizua për t’i hapur rrugën projektit.

Porti i Durrësit, aseti më i rëndësishëm portual i vendit, iu besua këtij zotërisë me premtimin se do të ndërtohej një projekt transformues.

Sot, pas gjithë atyre premtimeve, vetë investitori deklaron se ishte gabim.

Atëherë lind një pyetje e thjeshtë, ku është qeveria?

Kush u përgjigjet qytetarëve për fatin e këtij projekti?

Kur bëhen premtime të mëdha për një pasuri strategjike kombëtare, transparenca dhe llogaridhënia nuk janë zgjedhje. Janë detyrim besoj unë dhe pas kësaj deklarate publike duhet të vijë edhe një sqarim publik se cfarë po bëhet me Portin e Durrësit?

A Ishte një gabim?