Një tjetër tërmet pritet në dhomat e zhveshjes të Barcelonës. Katalanasit ishin të sinqertë kur kërkuan një ulje të pagave dhe një sakrificë ekonomike të futbollistëve për të zbehur pasojat e rënda ekonomike që shkaktoi kriza nga Koronavirusi.
Drejtuesit i bënë bisedimet me klubin që në muajin mars dhe shpresuan që ajo sasi parash të mjaftonte për të kaluar krizën. Por, në të vërtetë duket se gjërat nuk kanë ndryshuar dhe presidenti Hozef Maria Bartomeu po mendon seriozisht që t’i kërkojë Setienit dhe lojtarëve të tij që të ulin pagat për pjesën tjetër të sezonit.
Gjithçka do të varet nga merkatoja dhe të ardhurat që do të sjellin futbollistët që do të shiten. Duhet të kujtojmë se në mars pati polemika të shumta dhe përplasje mes klubit dhe lojtarëve dhe kjo shërben si një paralajmërim për etapën e dytë.
Ndalesa e kompeticioneve ka bërë që Barcelona të humbasë nga 150 milionë deri në 175 milionë euro. Por, ulja e pagave ka qenë deri 50 milionë euro dhe 2% ulje u bë për të paguar rrogat e punonjësve të klubit. Megjithatë, llogaritë në zyrat e “Camp Nou”-t nuk dalin dhe kjo do ta çojë në një tjetër kërkesë presidentin Bartomeu për të kërkuar ndihmë nga futbollistët.
Do të duhen edhe 10 milionë euro të tjera që të amortizohen humbjet. Por edhe këto mund të mos mjaftojnë për të ardhmen dhe në këto kushte do të ketë një ulje të pagave për të gjithë lojtarët duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Nuk ka asgjë të vendosur, sepse të ardhurat e klubit janë të varura në mënyrë të drejtpërdrejtë nga merkatoja. Por edhe në këtë aspekt, katalanasit po bëjnë “autogol” sepse duan të transferojnë me çdo kusht sulmuesin e Interit, Lautaro Martinez.
Në çdo mënyrë, pritet që të ketë kaos dhe polemika mes lojtarëve dhe drejtuesve, të cilat kanë qenë të shumta në këtë sezon dhe nuk e kanë ndihmuar aspak klubin që të ketë rezultate pozitive. Bartomeu shpreson që vartësit e tij të bëjnë një punë të mirë në merkato dhe të shesin futbollistë me çmime të larta duke mbushur arkat, sepse kjo është mënyra e vetme për të shmangur një tjetër turp dhe kaos në klub.





