Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shfaqet optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e institucioneve të reja. Bisedimet mes dy partive pritet të rifillojnë në ditët në vijim, para seancës konstituive të Kuvendit të caktuar më 6 gusht.
Kurti bëri të ditur se ekzistojnë vullneti dhe gatishmëria për të avancuar diskutimet, ndërsa rezultati i negociatave pritet të bëhet i qartë gjatë javës së ardhshme.
Bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së ishin pezulluar gjatë muajit të kaluar, por nga të dyja kampet janë dhënë sinjale për një afrim të mundshëm politik.
LDK-ja ka vendosur disa kushte për një marrëveshje, duke kërkuar që ajo të përfshijë institucionet kryesore të vendit, përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.
Në diskutime pritet të përfshihen edhe programi qeverisës, agjenda shtetërore dhe ndarja e përgjegjësive.
Një nga çështjet më të rëndësishme në negociata pritet të jetë zgjedhja e presidentit. LVV-ja ka siguruar 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18, duke krijuar një shumicë të mjaftueshme për të siguruar mbështetjen në Kuvend.
Megjithatë, mbetet e pasigurt nëse të gjithë deputetët e LDK-së do të mbështesin një marrëveshje me Vetëvendosjen, për shkak të qëndrimeve të ndryshme brenda partisë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh pas konstituimit të Kuvendit, Kosova rrezikon shpërndarjen e parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.





