Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’ në kuadër të dosjes ‘Partizani’.
Pas daljes nga prokuroria, Berisha ka mbajtur dhe një komunikim për media, teksa tha se brenda në SPAK po ndërtohet një minimaternitet për të gjitha gratë, pjesë e kabinetit të Ramës, që përdorin shtatzëninë për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë.
“Punime intensive, po ndërtonin një minimaternitet. Dhe kishin sjellë aty, përveç të gjitha mjeteve që duhen për obstetrikën, edhe inkubatorë për bebet. Kishin shkruar një listë me emra, për të zgjedhur emrin. Prit, prit se kjo është më interesante. Po të lindë vajzë, do ta quajnë Skapica, ose Spakica. Po të lindë djalë, Spakic. Spaku.
Me një fjalë, edhe lista e emrave është bërë gati aty për ato që do të quhen ‘bebe të SPAK-ut’. Por, kjo është sigurisht një tallje. Një tallje, por ka një anë më të paimagjinueshme. Se si ministrat, gjasme zyrtarët e qeverisë, përdorin edhe fëmijësinë, shenjtërinë e fëmijësisë, për të shpëtuar nga krimet për të cilat duhet të digjeshin në ferr për vjedhjet që kanë bërë”, tha Berisha.
I pyetur për një rast konkret, Berisha iu referua gruas së kryebashkiakut të Erion Veliaj, duke thënë se “Veliaj, po ajo u hap shtegu, flitet, flitet për disa. Flitet për disa, po unë nuk jam mjeku i tyre dhe nuk mund t’i bëj publike emrat e tyre, pse t’i flasim. Po flitet për disa ministre, ish-ministre a deputete, me radhë. Kjo flitet për epidemi. Epidemi”.





