25 shtete amerikane paditën të hënën administratën e presidentit Donald Trump për vendosjen e një vale tarifash ndaj dhjetëra vendeve.

Shtetet e Bashkuara thonë se tarifat, të cilat variojnë nga 10% deri në 12.5%, u vendosën për shkak se partnerët tregtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kinën dhe Bashkimin Evropian, nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të luftuar punën e detyruar.

Në një dokument ligjor, koalicioni i shteteve të drejtuara nga demokratët argumenton se vendimi ishte “arbitrar, kapriçioz dhe në kundërshtim me ligjin.”

Në përgjigje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, deklaroi se “Shtetet e Bashkuara po përdorin autoritetin e tyre ligjor” për të trajtuar praktikat që dëmtojnë bizneset amerikane.

Desai shtoi se çdo vend që nuk arrin të ndalojë importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar po vepron në mënyrë “të paarsyeshme” dhe kjo duhet të marrë fund.

Tarifat e reja, të cilat hynë në fuqi në korrik, u vendosën në bazë të Nenit 301 të Ligjit Amerikan për Tregtinë të vitit 1974, i cili synon vendet që përdorin punë të detyruar.

Sipas Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së (USTR), këto tarifa mbulojnë 99.4% të importeve amerikane.

Në padi thuhet se administrata Trump “nuk mund ta përdorë punën e detyruar si pretekst për të vazhduar skemën e saj të paligjshme të tarifave.”

“Tarifat e vendosura nga USTR janë aq të gjera, sa bien ndesh edhe me objektivat e deklaruara të vetë institucionit dhe e bëjnë qesharak ligjin mbi të cilin mbështeten,” thuhet në dokument.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, deklaroi se “tarifat e paligjshme të Presidentit Trump nuk janë gjë tjetër veçse një taksë mbi familjet punëtore.”

Disa nga partnerët tregtarë të prekur kanë shprehur zhgënjim për tarifat e reja. Brazili dhe Japonia i kanë cilësuar masat si “të pajustifikuara”, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, i përshkroi ato si “një justifikim për manipulim politik.”

Uashingtoni dhe Pekini vazhdojnë të jenë të përfshirë në një luftë tarifash reciproke, e cila aktualisht është pezull.

Disa analistë kanë vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si vendet mund të provojnë se kanë trajtuar në mënyrë të duhur pretendimet për punën e detyruar.

Kjo është lëvizja më e fundit në serinë e politikave tregtare të shpallura nga Trump që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.

Shumë prej tarifave të gjera që ai vendosi ndaj partnerëve tregtarë globalë në kuadër të të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit”, në prill të vitit të kaluar, u rrëzuan nga Gjykata Supreme e SHBA-së.

“Gjykata Supreme e ka bërë të qartë se kjo administratë nuk mund ta anashkalojë ligjin për të vendosur tarifa të gjera,” tha Hochul.

Vendimi i gjykatës çoi në kthimin e dhjetëra miliarda dollarëve kompanive që kishin paguar këto tarifa.

Trump ka argumentuar prej kohësh se tarifat mbrojnë punëtorët amerikanë dhe forcojnë ekonominë e SHBA-së.

Tarifat e rrëzuara nga Gjykata Supreme u zëvendësuan me një tarifë të përkohshme prej 10% mbi të gjitha importet globale, e cila skadoi në korrik.

Ndërkohë, tarifa të tjera mund të jenë në horizont, pasi SHBA-ja po heton aktualisht 16 vende për pretendime se kanë kapacitete të tepërta prodhimi që shtrembërojnë konkurrencën në tregtinë ndërkombëtare.