Aktivisti Edison Lika tha nga podiumi i protestës para Kryeministrisë ditën e sotme se zgjidhja e vetme që ofrojnë është dorëheqja e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ai theksoi se 66 ditë askush nuk e mendonte se do kishte rezistencë të pamposhtur ndaj autokracisë qeveritare. Protesta popullore i ka prishur pushimet kryeministrit, i cili denoncoi ai, tani po përpiqet të grumbullojë sa më shumë pushtet edhe me Reformën territoriale.

“Nga sheshi i protestës para Kryeministrisë vijojmë ditën e 66 të rezistencës së shqiptarëve kundrejt autokracisë së Edi Ramës. Për 66 ditë i keni dhënë shoqërisë një leksion qytetarie. Dhe përderisa kërkojmë rezolucion, revolucioni është bërë. Kush e mendonte para 66 ditësh se qytetarët do qëndronin duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe nuk do largoheshin nga bulevardi. Dorëheqje. Fakti se protesta k qenë në shesh dhe njerëzit në bulevard, duket se i ka hapur probleme serioze qeverisë së Edi Ramës. Atë që e kishte menduar si vendim normal dhe pa pasoja, duket se ia ka prishur pushimet këtë verë”, tha Lika mes të tjerash.

Duke iu kthyer Reformës Territoriale, ai i bëri thirrje Ramës që të hiqte dorë nga shkrirja e bashkive, duke dhënë edhe argumente. Lika vuri në dukje se të gjithë banorët e atyre njësive janë revoltuar dhe po protestojnë, teksa doli në mbështetje të thirrjeve të tyre.

“Në të gjitha qytetet që ka propozuar që bashkitë të mbyllen e t’i vihet kyçi, ka parë protesta kundër këtij vendimi. Pse ndodhi në këtë moment kjo reformë, për çfarë po përgatiten këta. Në fakt nevoja është që pushteti lokal të grumbullohet gjithnjë e më shumë në pak duar. Dikur ishin 65 bashki dhe 309 komuna. Me vendim të qevrisë Rama ky pushtet vite më parë u grumbullua në dorën e 61 personave dhe ai donte që ta grumbullonte në akoma më pak duar dhe ka vendosur ta grumbullojë tani në 46 duar. Tani një përfaqësues vendor do përfaqësojë 50 mijë banorë, e kuptoni se sa larg është zyrtari nga banori?”, tha ai mes të tjerash.

Lika vijoi duke denoncuar se qeveria pretendoi se do bënte reformën për të ulur administratën dhe shpenzimet, por e vërteta është se ato janë rritur.

“Me çfarë argumenti e ka bërë reformën qeveria në 2014 dhe tani në 2026. Thonë se barra financiare është e madhe dhe duhet ulur. Ta marrim të mirëqenë. Kur kishte 309 komuna e 5 bashki më shumë, administrata publike ishte 160 mijë persona, tani është 180 mijë persona. Çfarë ndodhi me to, kur duhej që administrata të tkurrej dhe jo të rritej. Imagjinoni, kemi administratë publike të fryrë, kurse shumë qytetarë nuk i marrin dot shërbimet e tyre sepse taksat janë të larta. Pra kjo reformë vetëm sa grumbullon pushtet politik te qeveria dhe Rama. Kjo reformë nuk bën asgjë më shumë sesa zhbën rolin e qytetarit në demokraci. Ndaj mbështetje të plotë bashkive dhe qytetarëve që e pësojnë nga kjo reformë dhe i bëjmë thirrje qeverisë që të heq dorë nga kjo reformë administrative”, tha ai.

Në fund Lika deklaroi se reforma do bëhej, por që ta afronte qytetarin me vendimmarrjen dhe jo duke e larguar nga bashkitë. Ai tha që qeveria të anulonte këtë reformë që po bënte dhe që Rama të dorëhiqej.