Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Repartin Special “Delta Forcë”, mbrëmjen e djeshme përfunduan me sukses pas rreth 4 orësh operacionin e kërkim-shpëtimit për një turist holandez dhe dy fëmijët e tij të mitur, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur të Kanioneve të Gjipesë.
Pas nxjerrjes nga zona e rrezikshme, turisti dhe dy fëmijët e tij morën ndihmën e parë mjekësore dhe rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore.
Turisti holandez falënderoi shërbimet e Policisë së Shtetit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit, duke u shprehur: “Dua t’u them të gjithëve se sonte jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Policisë lokale, e cila na shpëtoi nga vendi ku kishim mbetur të bllokuar. Ishte një zonë shumë e rrezikshme, sidomos gjatë natës. Këta tre efektivë janë heronj.”
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo rast emergjence, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.





