“Dënim alternativ” është masa e marrë nga Gjykata e Apelit të Durrësit për 7 të miturit, të cilët përdhunuan 13-vjeçaren në Kavajë rreth 1 vit e gjysmë më parë.
Masa e marrë mesditën e sotme në apel, “Dënim alternativ” ose ndryshe dënim me kusht, parashikon një lehtësim të ndjeshëm të dënimit më të hershëm. Puna falas për interesin publik është një praktikë që aplikohet gjerësisht në botë si një nga dënimet alternative për personat që kanë shkelur ligjin. E njëjta praktikë pritet të përdoret dhe mbi 7 të miturit.
Në 20 shkurt të këtij viti, gjykata e shkallës së parë Durrës la në qeli të miturit që abuzuan me nxënësen e shkollës 9-vjeçare në Kavajë. Vendimi i marrë rreth 3 muaj më parë parashikonte 3 deri në 7 vite burg për veprën penale të kryerjes së “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal.
Historia e rëndë nisi, pasi 13-vjeçarja nga Kavaja pranoi të kryente marrëdhënie seksuale me shokun e klasës, që e kishte edhe të dashur. Ky i fundit filmoi aktin dhe më pas i bënte shantazh, duke abuzuar me të edhe disa herë të tjera. Më pas ai ua kishte treguar videon shokëve, të cilët duke e shantazhuar, përfituan të kryenin marrëdhënie seksuale. Shoku i saj i klasës ka pranuar para gjykatës, se kishte shfrytezuar vajzën, për të grumbulluar para për të blerë Play Station. Denoncimi u mbajt i fshehtë, derisa u publikua nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ngjarja tronditi rëndë opinionin publik në atë kohë, ndërsa në qendër të akuzave u vu edhe ministrja Elisa Spiropali, që nxorri me zë dhe figurë prindërit e të miturës, duke lehtësuar identifikimin e saj.





