Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion se nuk kanë lëshuar në kohë urdhër arrestin ndërkombëtar për biznesmenin Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, të shpallur në kërkim për një sërë veprash penale në kuadër të hetimeve që lidhet me tenderat e AKSHI-t.

Beqiri është arrestuar në Francë më 24 korrik teksa u kap duke pilotuar një avion fare pranë hapësirës ajrore të ndaluar të centralit bërthamor të Penly-t.

“Unë e kisha të vështirë ta imagjinoja se po të kishte shkuar urdhri i arrestit nga Interpoli, nga Europoli, agjencitë zbatuese austriake dhe sllovene nuk do ta ekzekutonin.  SPAK-u nuk e deklaroi atëherë.  SPAK-u nuk e deklaroi as pas daljes sime të dytë këtë. SPAK-u e deklaroi pas daljes sime të dytë dhe unë nuk e vë në dyshim, gjersa thotë e kanë lëshuar. Atëherë çfarë ka ndodhur?  Kjo është për t’u hetuar. Vërtet ata e kanë lëshuar dhe unë nuk besoj që të mos e kenë lëshuar, gjersa thonë se është gjë e vërtetueshme”, tha Berisha.

Kreu i demokratëve tha se qeveria shqiptare po vijon t’i japë fonde kompanive të Beqirit ndërsa shton se ky i fundit është bashkëpunëtor me pushtetin aktual.

“Ato janë para të taksapaguesve shqiptarë dhe asnjë qindarkë ky hajdut s’duhet, ky kështjellari i Edi Ramës, s’duhet të marrë më nga shteti. Nuk kam unë dijeni se kush është administratori, por kam dijeni se ajo, pa urdhër të Edi Ramës ato para nuk disbursoheshin kurrë”, tha Berisha.

Ermal Beiqiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej 24 dhjetorit 2025 me urdhër të SPAK i akuzuar për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të gjitha në kuadër të hetimeve të zhvilluara për dosjen e AKSHI-t.

Me vendim të GJKKO-së, Beqirit i janë sekuestruar dhjetëra pasuri në Shqipëri ndërsa së fundmi i janë zbuluar dhe të tjera në Francë, përmendim këtu një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, 2 apartamente dhe disa automjete.