Qeveria Rama ka miratuar sot një vendim për zonën për zhvillim në bashkinë Durrës, për atë që këshilli i ministrave e ka cilësuar Parku Arkeologjik i qytetit bregdetar.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, gjatë konferencës për shtyp deklaroi ndër të tjera se do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbatues në këtë zonë, ku qeveria ka përfshirë Amfiteatrin, Muret Rrethuese, Forumin Bizantin dhe termat romake.
“Në kuadër të rindërtimit, KE angazhon 65 milionë euro në shkolla dhe 50 milionë euro në objektet e trashëgimisë kulturore. Në zonën e re të propozuar për zhvillim, ndodhen disa prej monumenteve më të rëndësishme kombëtare, si Amfiteatri i Durrësit, Kalaja, Termat Antik si dhe një sërë monumentesh të kategorisë së parë dhe të dytë”,– tha ndër të tjera ministri Ahmetaj.
Kujtojmë se organizmat evropianë kanë bërë donacione të konsiderueshme për riparimin e dëmeve të pësuara në objektet e trashëgimisë kulturore nga tërmeti i 26 nëntorit. Rreth 100 milionë euro ka akorduar Bashkimi Evropian për këtë qëllim dhe një pjesë e kësaj shume pritet të shkojë për amfiteatrin, që u zbulua për herë të parë në vitin 1966 nga arkeologu Vangjel Toçi, por ende qëndron i pa zbuluar tërësisht.

Ndërsa vendimi i marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë nuk është zbardhur akoma i plotë, Këshilli i Ministrave pati marrë një vendim të rëndësishëm për këtë zonë në mbledhjen e datës 18 maj, që kishte të bënte me “PËRCAKTIMIN E KUFIJVE TË PARKUT ARKEOLOGJIK DURRËS”
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 212, të ligjit nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Përcaktimin e kufijve të Parkut Arkeologjik Durrës sipas koordinatave gjeografike, hartës së zonifikimit dhe shtojcave, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Kufijtë e Parkut Arkeologjik Durrës ndodhen brenda zonës arkeologjike “A” të qytetit të Durrësit, të shpallur me vendimin nr. 786, datë 26.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Durrësit dhe të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”, i konceptuar në formë ishujsh.
3. Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë Durrës merr në konsideratë kufijtë e zonifikimit të Parkut Arkeologjik Durrës.
4. Rregullat për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e Parkut Arkeologjik Durrës i nënshtrohen legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor që të publikojë hartën për përcaktimin e kufijve të Parkut Arkeologjik Durrës në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.” – thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.
Vendimi i qeverisë shoqërohet me hartat përkatëse të këtyre “ishujve” arkeologjikë ku bie në sy rrethimi i hapësirës ku ngrihen vilat disa katëshe, që parashikohen të shemben për të zbuluar pjesën lindore të amfiteatrit antik të qytetit. Një pjesë e fondit që do të akordohet për këtë zonë në zhvillim, pritet të shkojë për dëmshpërblimin e pronarëve që do të shpronësohen.





