Para 33 ditësh nisi të ushtronte aktivitetin tregtar në markatën e fruta-perimeve në Durrës. Ramazan Kapllani është një pensionist 70-vjeçar, i sapo kthyer nga Italia, ku ka jetuar gati 15 vite.

Ditët e para të punës, nuk kanë qenë aspak fiitimprurëse, por ai thotë se eksperienca nuk mund të fitohet për një muaj.

Megjithëse pas ’90 për shumë vite eksportonte veshje nga vende të ndryshme, deri nga Kina e largët, falimentimi i bizneseve këtu e detyroi familjarisht të emigronte.

Tani, në moshë të thyer, pavarësisht se merr pension edhe nga shteti shqiptar, edhe nga ai italian, Ramazani nuk do të pushojë dhe të shijojë pensionin. Puna e mban gjallë, prandaj ka vendosur që së bashku me të shoqen të angazhohen në këtë sipërmarrje të re.

Në tezgën e tij aktualisht tregton fiq, rrush etj dhe ka nisur të krijojë klientelën besnike. Ai është në kontakt të drejtpërdrejtë me furnitorët, për shkak të aktivitetit tregtar dhe ndërsa e pyes për çmimet rrëfen se i duken mjaft të larta, sidomos për bashkëmoshatarët e tij pensionistë. Realiteti shqiptar duket se është më i ashpër nga ai që Ramazan Kapllani njihte vite më parë, kur iu drejtua emigrimit.

Për Ramazan dhe Lule Kapllanin, jeta e tyre gjatë muajit të furdit vërtitet mes tregut dhe furnizimeve. Pas viteve të kaluara në emigracion, ata po ri tentojnë rikthimin në biznes. Mosha duket vetëm një numër për ta, ndërsa dëshira për t’u angazhuar me punë vijon të mbetet mjaft e lartë.      

M.B.