Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për të vijuar bisedimet me partitë politike, duke mos paraqitur një emër për postin e kryeparlamentarit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti tha se pas certifikimit të rezultateve kanë nisur takimet me subjektet politike dhe se nevojitet më shumë kohë për arritjen e marrëveshjeve.
Ai u shpreh se diskutimet lidhen jo vetëm me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por edhe me çështje të tjera institucionale, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm.
“Urime detyra e përfaqësuesve të popullit. Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në legjislaturën e 11. Menjëherë pas certifikimit të rezultateve filluam takimet, e falënderoj Bedri Hamzën e PDK-së për takimin, e falënderoj Lumir Abdixhikun e LDK-së për takimet. Zgjedhjet e shtatë qershorit na u shkaktuan si rezultat i mungesës së marrëveshjes… Nuk duhet të shkaktohen zgjedhjet e tjera“, u shpreh Kurti.
Seanca u zhvillua me tensione dhe reagime nga radhët e opozitës, ndërsa miratoi më herët raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke konfirmuar vlefshmërinë e mandateve të 120 deputetëve.





