Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke akuzuar institucionet shqiptare se kanë penguar kompaninë e tij për të përfunduar punimet në kantier.

Pacolli ka deklaruar se kompania, për muaj me radhë, u është drejtuar institucioneve shtetërore duke kërkuar përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe mundësimin e qasjes në kantier.

Sipas tij, qëllimi ishte përfundimi i punimeve të mbetura dhe vënia e aeroportit në operim.

“Që nga muaji mars, i jemi drejtuar çdo ditë institucioneve shtetërore, si palë kontraktuese, duke kërkuar që të përmbushin detyrimet e tyre kontraktore, të krijojnë kushtet e nevojshme dhe të mundësojnë qasjen tonë në kantier”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka bërë të ditur se tashmë kompania do t’u drejtohet mekanizmave ligjorë, përfshirë arbitrazhin dhe gjykatat, ndërsa ka kërkuar edhe hetim të plotë dhe të pavarur për përgjegjësit e situatës.

“Kemi kërkuar çdo mundësi për të evituar një Arbitrazh që do të jetë shumë i rëndë për palët”, ka shkruar ai.

Pacolli ka theksuar se kontrata koncesionare për Aeroportin e Vlorës ishte lidhur në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare, me synimin për ndërtimin, përfundimin dhe operimin e aeroportit.

“Për fat të keq, kjo kontratë nuk u lejua të arrinte fazën e operimit dhe, rrjedhimisht, të realizonte objektivin për të cilin ishte lidhur. Për këtë arsye, të drejtat që burojnë prej saj do të kërkojnë mbrojtje përmes mekanizmave ligjorë dhe gjyqësorë”, ka deklaruar ai.

Biznesmeni kosovar ka pretenduar se kompania është penguar fizikisht nga Policia e Shtetit për të hyrë në kantier dhe për të vazhduar punimet.

“Është e pamundur të kërkohet përgjegjësi për vonesa nga një kompani që për muaj të tërë është penguar nga policia e shtetit fizikisht të hyjë në kantier dhe të kryejë punën për të cilën ishte kontraktuar”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, projekti kishte arritur në fazën përfundimtare dhe kishin mbetur vetëm disa instalime të sistemeve, testimet finale, pastrimi dhe përgatitjet për operim.