Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në qytetin gjerman të Gelsenkirchen, ku dy tramvaje janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur të paktën 25 persona. Ngjarja ndodhi pranë stadiumit të skuadrës Schalke, ku sipas informacioneve paraprake, një tramvaj stërvitor u ndal papritur gjatë lëvizjes. Pas tij po udhëtonte një tjetër tramvaj me pasagjerë, i cili nuk arriti të frenonte në kohë dhe u përplas fuqishëm në pjesën e pasme të mjetit të parë.
Përplasja shkaktoi dëme të konsiderueshme në të dy tramvajet dhe mobilizoi menjëherë forcat e emergjencës.
Sipas policisë gjermane, rreth 25 persona kanë mbetur të plagosur. Shtatë prej tyre kanë marrë plagë të rënda, ndërsa për tre të tjerë gjendja shëndetësore paraqitet kritike dhe nuk përjashtohet rreziku për jetën. Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa disa prej tyre u transportuan me ambulancë drejt spitaleve të zonës për trajtim të mëtejshëm.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në ndalimin e papritur të tramvajit të parë. Një grup i posaçëm hetimor i policisë ka nisur punën për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë. Pas përplasjes, një pjesë e rrugës kryesore Kurt-Schumacher-Straße u mbyll për qarkullimin e automjeteve, duke shkaktuar vështirësi në trafikun e pasdites. Më vonë, njëra prej korsive u hap sërish. Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra ekipe shpëtimi, ambulanca dhe forca policie. Gjithashtu u aktivizuan edhe psikologë dhe ekipe mbështetëse për pasagjerët dhe personat e përfshirë në aksident.





