Një përplasje e re diplomatike ka shpërthyer mes Spanjës dhe Italisë për zbatimin e Marrëveshjes së Shengenit. Qeveria spanjolle i ka kërkuar zyrtarisht Romës që të rikthejë plotësisht lëvizjen e lirë mes dy vendeve deri të dielën, më 9 gusht.
Madridi ka paralajmëruar se, nëse kontrollet kufitare nuk hiqen brenda këtij afati, do të ndërmarrë masa për të mbrojtur interesat e qytetarëve spanjollë.
Në qendër të debatit është vendimi i qeverisë së kryeministres italiane Giorgia Meloni për të pezulluar përkohësisht zbatimin e Shengenit me Spanjën, pas krizës së emigrantëve në Ceuta. Masat kufitare janë vendosur deri në fund të muajit gusht.
Qeveria spanjolle ka ngritur shqetësime për menaxhimin e flukseve migratore, duke krahasuar shifrat e hyrjeve të parregullta. Sipas Madridit, Italia ka regjistruar vitet e fundit një numër më të lartë hyrjesh të paligjshme, rreth dyfishin e atyre të Spanjës.
Ndërkohë, në Romë po shqyrtohet mundësia që kontrollet kufitare të përfundojnë më herët se afati i parashikuar. Sipas mediave italiane, autoritetet po vlerësojnë heqjen e masave edhe para datës 15 gusht.
Situata mbetet në vëmendje të institucioneve europiane, pasi lëvizja e lirë brenda zonës Shengen është një nga parimet kryesore të Bashkimit Europian.





