Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se deri në 50 mijë ushtarë nga Koreja e Veriut mund të dislokohen në Rusi për të luftuar në krah të forcave ruse.

Në një reagim të publikuar të shtunën, Zelensky tha se është marrë një vendim për dërgimin e 30 mijë deri në 50 mijë ushtarëve koreano-veriorë në territorin rus. Kjo shifër është më e lartë se vlerësimi i tij i mëparshëm prej rreth 30 mijë trupash. Zelensky nuk dha detaje se nga janë siguruar këto informacione.

Ai tha gjithashtu se Ukraina ka gjetur në territorin e saj disa raketa të prodhuara nga Koreja e Veriut. Sipas tij, Pheniani pritet të vazhdojë të fitojë përvojë në luftën moderne përmes bashkëpunimit ushtarak me Rusinë.

Zelensky i bëri thirrje Koresë së Jugut të rrisë bashkëpunimin me Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore. Ai tha se Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me Seulin edhe për marrëveshje të tjera, përfshirë atë për dronët.

Rusia dhe Koreja e Veriut kanë forcuar bashkëpunimin ushtarak gjatë viteve të fundit. Në qershor të vitit 2024, presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un nënshkruan një marrëveshje strategjike që përfshin edhe ndihmën e ndërsjellë në rast të një agresioni të jashtëm.

Sipas vlerësimeve, rreth 14 mijë ushtarë koreano-veriorë janë dërguar në rajonin Kursk të Rusisë gjatë vitit 2024, ku kanë ndihmuar forcat ruse në luftimet kundër trupave ukrainase.

Ndërkohë, një zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase tha këtë muaj se një njësi raketore e Koresë së Veriut ka nisur të dislokohet në perëndim të Rusisë. Sipas tij, kjo njësi mund të pajiset me deri në 120 raketa balistike dhe gjashtë mjete lëshuese.

Ukraina ka mungesa të mëdha të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore, ndërsa Rusia ka shtuar përdorimin e raketave balistike, të cilat janë më të vështira për t’u rrëzuar. Sipas vlerësimeve ukrainase dhe të ekspertëve të pavarur, Koreja e Veriut i ka furnizuar Rusisë me miliona predha artilerie dhe mortaja, si dhe me raketa balistike dhe sisteme artilerie me rreze të gjatë.