Tajfuni “Dolphin” ka prekur tokën në bregdetin lindor të Kinës të dielën, duke shkaktuar reshje të dendura, erëra të forta dhe ndërprerje të transportit.
Stuhia goditi zonën pranë qytetit Yuhuan, në provincën Zhejiang, rreth orës 17:30 me orën lokale. Në momentin e mbërritjes në tokë, erërat pranë qendrës së tajfunit arrinin mbi 150 kilometra në orë. Autoritetet kineze kanë evakuuar më shumë se 900 mijë banorë vetëm nga qyteti Wenzhou, ndërsa në zonat e rrezikuara janë hapur mbi 1 mijë qendra emergjence.
Mijëra fluturime anulohen
Tajfuni ka shkaktuar probleme të mëdha edhe në transport. Në dy aeroportet kryesore të Shangait janë anuluar rreth 1,400 fluturime brenda dhe jashtë qytetit.
Në aeroportin e Hangzhou, në provincën Zhejiang, janë anuluar gjithashtu rreth 270 fluturime. Disa shërbime hekurudhore dhe më shumë se 200 linja tragetesh janë pezulluar në Zhejiang dhe Fujian për shkak të kushteve të këqija të motit.
Paralajmërim maksimal për reshjet
Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës ka lëshuar një alarm të kuq, niveli më i lartë i paralajmërimit për tajfunet. Në disa zona të Zhejiang priten reshje shumë të dendura, me deri në 500 milimetra shi. Reshje të forta priten gjithashtu në Shangai dhe në disa pjesë të provincave Fujian, Anhui dhe Jiangsu.
Autoritetet kanë marrë masa të shumta për sigurinë e banorëve. Në Fujian, rreth 99 mijë persona janë evakuuar nga zonat e konsideruara të rrezikshme. Gjithashtu, qindra mjete lundruese janë kthyer në porte dhe janë pezulluar punimet në disa zona detare.
Tajfuni shkaktoi probleme edhe në Japoni dhe Tajvan
Para se të mbërrinte në Kinë, “Dolphin” solli reshje të dendura dhe erëra të forta në Okinawa të Japonisë. Shtatë persona kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike.
Në Tajvan janë pezulluar dhjetëra shërbime tragetesh dhe janë anuluar më shumë se 180 fluturime për shkak të motit të keq. Ndërkohë, në Hong Kong, tajfuni solli temperatura rekord. Termometri arriti në 36.9 gradë Celsius, pasi masat e ajrit të ngrohtë të lidhura me stuhinë u zhvendosën mbi qytet.
Meteorologët presin që “Dolphin” të dobësohet pasi ka hyrë në territorin e Kinës, ndërsa do të lëvizë në drejtim të veriperëndimit. Tajfuni “Dolphin” mbërrin në Kinë vetëm dy javë pas tajfunit “Noul”, i cili goditi provincën Guangdong dhe u cilësua në atë kohë si stuhia më e fuqishme që kishte prekur Kinën këtë vit.





