Misioni i KFOR-it në Kosovë ka bërë të ditur se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Siç ka njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.

Më tej thuhet se ky proces do të zhvillohet gradualisht dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës e EULEX-in.

“Misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, ky është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe do të koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu thuhet që komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët të institucioneve të Kosovës por edhe të Serbisë dhe se janë të pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm në aspektin e sigurisë.

“Personeli ynë është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i do të ruajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet mes tjerash, raporton gazeta Koha.