Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se ndërroi në mënyrë sekrete avionin pas samitit të NATO-s në Turqi, muajin e kaluar, për shkak të një kërcënimi të mundshëm ndaj tij.

Trump tha se vendimi u mor nga Shërbimi Sekret dhe ushtria amerikane dhe se ai thjesht ndoqi udhëzimet e tyre. “Ata donin që të shkoja me një fluturim tjetër, me një avion tjetër”, u tha ai gazetarëve.

Ndërrimi i avionit ndodhi më 8 korrik, pasi Trump kishte marrë pjesë në samitin e NATO-s. Pamjet televizive e treguan atë duke hipur në Air Force One, por më pas u zbulua se presidenti ishte larguar fshehurazi nga avioni përmes dhe ishte transportuar drejt një avioni tjetër ushtarak.

Sipas zyrtarëve amerikanë, SHBA-të kishin zbuluar një kërcënim të besueshëm nga Irani për të qëlluar një raketë drejt avionit të presidentit. Ndërkohë, The NYT raportoi se inteligjenca amerikane kishte marrë informacion për një person pranë samitit të NATO-s, i cili ishte parë me një raketë mbi supe.

Trump tha se nuk kishte kërkuar shumë detaje rreth kërcënimit, duke theksuar se merr vazhdimisht kërcënime ndaj jetës së tij. Ai gjithashtu tha se avioni alternativ mund të ketë qenë në fakt më i rrezikuar, pasi kundërshtarët do të mund ta konsideronin atë si avionin që transportonte presidentin.

Operacioni u realizua si një manovër e fshehtë. Trump u largua nga Air Force One përmes një kamioni furnizimi që ishte ngritur në nivelin e avionit, në anën e kundërt nga ajo ku ai kishte hipur fillimisht. Më pas ai u transportua drejt një avioni ushtarak C-32A, një version i modifikuar i Boeing 757, i përdorur shpesh për transportin e zyrtarëve të lartë amerikanë.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hipi veçmas në C-32A për ta bërë fluturimin të dukej sa më normal. Ndërkohë, gazetarët dhe disa anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë hipën në Air Force One, pa e ditur se presidenti nuk ndodhej më në bord.

Anëtarëve të medias iu kërkua të mbanin të mbyllura grilat e dritareve. Një fotograf që hapi për pak kohë një grilë u udhëzua menjëherë ta mbyllte atë. Për të mbajtur të gjallë ‘mashtrimin’, avioni C-32A përdori kodin “Reach 18”, ndërsa avioni ku ndodheshin gazetarët vazhdoi të përdorte kodin “AF1”, duke krijuar përshtypjen se presidenti ishte ende në bordin e Air Force One.

Sipas raportimeve, në avionin fillestar mbetën disa anëtarë të kabinetit të Trump, përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Thesarit Scott Bessent.

Trump më pas udhëtoi drejt Britanisë së Madhe me avionin ushtarak, përpara se të rikthehej në avionin presidencial. Më vonë, ai përdori avionin e ri presidencial të dhuruar nga Katari për të udhëtuar drejt Uashingtonit.

Presidenti amerikan ka deklaruar më herët se Irani e konsideron atë një nga objektivat kryesorë për eliminim dhe se kërcënimet ndaj tij janë të vazhdueshme. Ai tha se nuk ishte i shqetësuar në mënyrë të veçantë nga incidenti në fjalë, duke nënvizuar se siguria e tij përcaktohet nga Shërbimi Sekret dhe ushtria.