Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një park natyror malor në lindje të Belgjikës, duke djegur rreth 16,500 hektarë tokë. Autoritetet e kanë përshkruar situatën si një zjarr të pazakontë për vendin. Flakët nisën të premten rreth mesditës në një zonë pyjore pranë kufirit me Gjermaninë dhe u përhapën me shpejtësi gjatë natës, të favorizuara nga kushtet e thata.
Ekipet e emergjencës po vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të zonave të rrezikuara. Deri tani nuk janë raportuar të dhëna për viktima, ndërsa dëmet në zonën e prekur janë të konsiderueshme. Bashkimi Evropian dërgoi tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës nga Republika Çeke, Suedia dhe Holanda në zonë, ku po punojnë zjarrfikës nga i gjithë vendi, ushtarë me automjete spërkatëse me ujë me rreze të gjatë veprimi dhe fermerë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, zjarri ka përfshirë një terren të vështirë dhe shuarja e tij është e mundur kryesisht me mjete ajrore. Megjithatë, zjarrfikësit duhet të përballen me erën që ndryshon vazhdimisht drejtim dhe përhap flakët në të gjitha drejtimet. Bashkia lokale u ka kërkuar banorëve të përgatiten për mundësinë e një evakuimi.
“Ju këshillojmë të merrni me qetësi një çantë të vogël me sendet tuaja thelbësore dhe, nëse është e mundur, ta vendosni në makinën tuaj në mënyrë që të largoheni shpejt nëse është e nevojshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, dy autostrada në zonë (N68 dhe N672) janë të mbyllura për trafikun për të lejuar shërbimet e emergjencës të veprojnë. Në dy autostrada të tjera (A3 dhe A27), tabelat paralajmërojnë shoferët për rrezikun.





