Barcelona ka bërë ofertën e tretë zyrtare për Rodri Hernández, duke tentuar të bindë Manchester Cityn të lërë të lirë mesfushorin spanjoll. Sipas gazetarit Ben Jacobs, oferta e re e klubit katalanas i kalon 60 milionë paund, që korrespondojnë me rreth 70 milionë euro. Kjo shifër mund të jetë e mjaftueshme për të bindur Manchester Cityn të pranojë transferimin.

Klubi anglez kishte refuzuar ofertën e parë të Barcelonës, prej 45 milionë eurosh plus bonuse, ndërsa edhe propozimi i dytë, i cili me realizimin e bonuseve mund të arrinte rreth 65 milionë euro, nuk ishte pranuar.Manchester City gjatë ditëve të fundit ka bërë të ditur se do të ishte i gatshëm të diskutonte largimin e Rodrit për një shumë mes 70 dhe 80 milionë eurosh. Në këtë situatë, oferta e tretë e Barcelonës mund të jetë shumë pranë shifrës që anglezët kërkojnë.

Një faktor i rëndësishëm në negociata është edhe dëshira e vetë futbollistit. Rodri i ka dhënë tashmë “po”-në e tij Barcelonës dhe Manchester City është në dijeni të vendimit të mesfushorit.Rodri u shfaq të premten në qendrën stërvitore të Manchester Cityt, ndërsa trajneri Enzo Maresca konfirmoi se lojtari është në gjendje të mirë pas një ndërhyrjeje të vogël në shpinë.

“E pashë Rodrin tani në ndërtesë, e përqafova fort. Duket mirë, ndaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Maresca pas seancës stërvitore.Mesfushori spanjoll ndodhet aktualisht në fazën e rikuperimit dhe nuk dihet nëse do të jetë pjesë e skuadrës për finalen e Community Shield ndaj Arsenalit, që luhet të dielën.Ndërkohë, Manchester City po përpiqet të përfitojë maksimalisht nga situata dhe të sigurojë shumën e dëshiruar për një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Klubi anglez po mendon ta përdorë një pjesë të parave nga shitja e Rodrit për të tentuar transferimin e Enzo Fernández nga Chelsea.Chelsea kërkon rreth 140 milionë euro për mesfushorin argjentinas. Në të njëjtën kohë, largimi i Reijnders drejt Al Qadsiah për rreth 60 milionë euro pritet të finalizohet së shpejti, duke i dhënë Manchester Cityt më shumë hapësirë financiare për të ndërhyrë në merkato.Tashmë topi është në fushën e Manchester Cityt. Barcelona ka bërë ofertën e tretë dhe është afruar ndjeshëm me kërkesën e anglezëve, ndërsa Rodri e ka bërë të qartë se dëshiron të transferohet në “Camp Nou”.Saga e mesfushorit spanjoll mund të hyjë kështu në fazën vendimtare gjatë ditëve të ardhshme.