Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporës Ina Zhupa ka reaguar pas gjetjeve të KLSH, duke akuzuar Blendi Gonxhen dhe ministrinë e kulturës për dështime në administrimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas Zhupës, raporti i KLSH evidenton mungesë vizioni, planifikimi dhe rregullash të qarta, duke krijuar një terren për financime jo transparente dhe vendimmarrje pa standarde të mirëpërcaktuara.
Zhupa thekson se strategjia për kulturën ka mbetur vetëm në letër, ndërsa mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit dhe monitorimit ka sjellë, sipas saj, administrim të fondeve publike pa transparencë dhe pa përgjegjësi institucionale.
Postimi i Zhupës:
KLSH nxjerr në dritë një tjetër dështim të Gonxhes dhe ministrisë së kulturës. Mungesë vizioni, mungesë planifikimi dhe mungesë rregullash në administrimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Raporti konstaton se objektivat e strategjisë për artin dhe kulturën nuk janë zbatuar në mënyrë efektive, nuk është ngritur mekanizëm për monitorimin e saj. Një sektor kaq i rëndësishëm për identitetin dhe zhvillimin e vendit nuk funksionon sipas një qasje strategjike që të përcaktojë qartë prioritetet dhe politikat publike.
KLSH konstaton se mungojnë aktet e nevojshme rregullatore dhe rregulla të qarta për financimin, ndarjen e përgjegjësive, kontrollin, gjurmën e auditimit dhe administrimin e dokumentacionit.
Kjo lidhet me fondet publike për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore.
Kjo është mungesë përgjegjësie institucionale ndaj kulturës shqiptare dhe ndaj parave të taksapaguesve.
Kur mungojnë strategjia, rregullat dhe mekanizmat e kontrollit, krijohet terreni për vendimmarrje pa standarde, financime pa transparencë dhe administrim të dobët të pasurisë kulturore.





