Jared Kushner dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu janë përplasur gjatë një takimi në Izrael lidhur me vazhdimin e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

Sipas një zyrtari të pranishëm në takim, Netanyahu këmbënguli se Izraeli duhet të vijojë operacionet kundër militantëve të Hamasit që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023. Izraeli ka pranuar më herët se ka krijuar një njësi speciale për gjurmimin dhe eliminimin e personave të përfshirë në atë sulm.

Kjo politikë ka shkaktuar disa shkelje të dyshuara të armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit në tetor 2025. Megjithatë, administrata amerikane nuk ka kundërshtuar në mënyrë të plotë këto operacione, pasi Izraeli ka argumentuar se objektivat përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për trupat e tij.

Gjatë takimit, Kushner, i dërguari special i SHBA-së dhe dhëndër i presidentit Donald Trump, i tha Netanyahut se Uashingtoni nuk do të kundërshtojë sulmet ndaj individëve që përbëjnë realisht një “kërcënim të menjëhershëm”.
Zyrtari i pranishëm në takimin e së hënës tha se Kushner kundërshtoi gjithashtu refuzimin e Netanyahut për të lejuar rekrutët për forcën e re policore palestineze të largohen nga Rripi i Gazës për t’u trajnuar në Egjipt.

Plani i çarmatimit i Këshillit të Paqes kërkon që Hamasi t’ia dorëzojë armët Komitetit të ri Kombëtar për Administrimin e Gazës, me Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit që ndihmon në këtë proces.

Kushner tha të hënën se dëshiron që Hamasi të fillojë dorëzimin e armëve të tij brenda një muaji. Megjithatë, pa një numër të mjaftueshëm oficerësh policie të trajnuar tashmë, mund të mos ketë praktikisht asnjë forcë të gatshme për të pranuar armët e Hamasit.

Megjithatë, ai paralajmëroi se ky përjashtim nuk duhet të interpretohet gjerësisht dhe të përdoret për të justifikuar sulme ndaj civilëve.

Pas takimit, Kushner deklaroi se SHBA-të nuk do të “kufizojnë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

Disa orë pasi Kushner u largua nga Izraeli, IDF kreu një nga sulmet më vdekjeprurëse në muaj, duke synuar atë që tha se ishte një mbledhje e figurave të larta të Hamasit.