Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Viola Kapidani Kullolli, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas vrasjes së një turisti të huaj në Shqipëri.

Kapidani Kullolli e cilëson ngjarjen si një “kambanë alarmi”, ndërsa kritikon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për promovimin e shifrave të turizmit.

Sipas saj, siguria e turistëve duhet të jetë prioritet, ndërsa shprehet se statistikat për numrin e vizitorëve nuk mund të fshehin problemet me rendin dhe sigurinë në vend.

Postimi i plotë:

Vrasja e një turisti të huaj në Shqipëri është një kambanë alarmi për një shtet që ka kapitulluar përballë krimit.

Edi Rama prej vitesh na shet propagandën e “bumit turistik” dhe 10 milionë turistëve. Por çfarë vlere kanë shifrat e propagandës, kur një turist vjen në Shqipëri dhe humb jetën?

Rama merakoset për algoritmin dhe pse nuk u shitën biletat e Kanye West. Por problemi nuk është algoritmi. Problemi është Shqipëria që ai vetë ka bërë antireklamë, duke e lidhur me krimin, mafien dhe pasigurinë.

Turizmi sot është në pikën e tij më kritike. Sepse turistët nuk votojnë propagandën e Ramës. Ata zgjedhin ku ndihen të sigurt.

10 milionë turistë në statistikat e Kryeministrit nuk mund të fshehin dot një të vërtetë: pa shtet, pa rend dhe pa siguri, çdo “bum turistik” është vetëm propagandë.