Situata e zjarreve në vend paraqitet përgjithësisht e stabilizuar, me 4 vatra aktive në Dajt dhe Priskë të Tiranës, Lufaj të Mirditës dhe Tërbun të Pukës. Forcat në terren vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona mbahet në monitorim. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve
(19 Gusht 2026 – ora 14:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00, në territorin e vendit janë regjistruar 6 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.
Në terren janë angazhuar 126 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive kryesore janë:
* Dajt, Tiranë – vijon operacioni me 50 efektivë të FA, 15 forca të MZSH dhe 5 forca të AZM. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Priskë, Tiranë – forcat e MZSH vijojnë punën pas riaktivizimit të vatrës; nuk ka rrezik për banesat.
* Lufaj, Mirditë – vatra mbetet aktive me intensitet të ulët; në terren janë 8 forca të Shërbimit Pyjor dhe 4 zjarrfikës me 1 automjet zjarrfikës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Tërbun, Pukë – operacioni vijon me forcat në terren për hapjen e korridoreve ndarëse, pas përfundimit të ndërhyrjes nga ajri. Situata konfirmohet nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata paraqitet në përmirësim edhe në Gurë-Lurë, ku zjarri është shuar dhe zona mbahet në monitorim, ndërsa në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe vijojnë operacionet me forcat lokale.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin dhe monitorimin në terren, me situatën përgjithësisht të stabilizuar dhe pa rrezik të raportuar për zonat e banuara.





