Më shumë se një uniformë, një manifest i historisë dhe krenarisë durrsake. Klubi i futbollit KF Teuta ka prezantuar zyrtarisht fanellën e re për sezonin 2026/2027, përmes një videoje mjaft të kuruar që gërsheton rrënjët e lashta të qytetit bregdetar me identitetin modern të skuadrës. E dizajnuar si një homazh për trashëgiminë e Epidamnit, Dyrrahut dhe forcës së Mbretëreshës Ilire,Teuta, kjo fanellë do të shoqërojë djemtë e detit drejt betejave të reja në fushën e gjelbër.

Ja postimi zyrtar i ekipit durrsak për prezantimin e fanellës së sezonit të ri: “Një fanellë që mbart historinë tonë.

Për sezonin 2026/27, prezantojmë fanellën tonë të re. Një fanellë që për ne nuk është thjesht një uniformë futbolli, por një pjesë e identitetit që na përfaqëson.

Ne vijmë nga Durrësi, një qytet me një histori mijëravjeçare, i ngritur në brigjet e Adriatikut dhe i lidhur ngushtë me trashëgiminë e lashtë të Epidamnit dhe Dyrrahut. Një qytet që ka parë të kalojnë qytetërime, epoka dhe histori, por që ka ruajtur gjithmonë shpirtin e tij.

Në këtë histori, ne mbajmë me krenari emrin Teuta.

Emrin e Mbretëreshës Ilire, simbolit të forcës, guximit dhe qëndresës. Një emër që na kujton çdo ditë se identiteti nuk është diçka që krijohet sot — është një trashëgimi që e marrim nga e shkuara dhe e çojmë përpara.

Këtë trashëgimi duam ta mbajmë edhe në fushë.

Kjo ngjyrë na lidh me qytetin, me detin, me historinë dhe me mijëra tifozë që e kanë bërë Teutën pjesë të jetës së tyre.

Me këtë fanellë do të përfaqësojmë Durrësin në çdo stadium, në çdo ndeshje dhe në çdo betejë.

Sepse kur veshim këtë fanellë, nuk veshim vetëm një stemë.

Veshim historinë e një qyteti.

Veshim emrin e Teutës.

Veshim ngjyrat tona.

Veshim Durrësin.

Sezoni 2026/27 nis këtu.”