Niveli i Liqenit të Zyrihut në Zvicër ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar në 75 vjet, njoftoi të mërkurën Zyra Federale për Mjedisin (OFEV), ndërsa vendi po përballet me një thatësirë të rëndë.

Sipas OFEV, Zvicra ka përjetuar thatësirë të theksuar që prej pranverës, për shkak të reshjeve dukshëm nën mesataren shumëvjeçare dhe temperaturave që shpesh kanë tejkaluar vlerat normale për këtë periudhë të vitit.

Agjencia federale tha se kjo situatë ka bërë që tokat të mbeten të thata, ndërsa nivelet e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore të jenë të ulëta. Thatësira, sipas saj, është përkeqësuar gjatë javëve të fundit.

Si pasojë, nivelet e ujit në shumë liqene të Zvicrës janë nën mesataren sezonale. Liqenet e Konstancës, Walenit, Zyrihut dhe Zugut, si dhe Liqeni Maggiore dhe disa liqene më të vegjël, kanë nivele jashtëzakonisht të ulëta për këtë periudhë të vitit.