Sipërmarrjet shqiptare në fushën e bujqësisë po konsolidojnë profilin e tyre të suksesshëm edhe në tregjet ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu solli sot shembullin e kompanisë “Zdrava SHPK”, një sipërmarrjeje që sipas saj, “ka ditur të rritet bashkë me fermerët, të investojë në teknologji dhe ta kthejë prodhimin vendas në produkt konkurrues për tregjet ndërkombëtare”.
Koçiu theksoi se prej më shumë se 20 vitesh, kjo kompani ka ndërtuar një histori të qëndrueshme në agropërpunim, me mbështetjen e programeve të qeverisë, investimet në teknologji dhe bashkëpunimin me fermerë si Xhuljan Doda, duke zgjeruar kapacitetet përpunuese.
“Mbështesim sipërmarrjet, fermerët dhe çdo investim që rrit vlerën e produkteve shqiptare dhe i jep më shumë mundësi zhvillimit të ekonomisë”, u shpreh Koçiu.
Ndërkohë për fermerin Xhuljan Doda nga fshati Legaj i bashkisë Rrogozhinë ky është viti i gjashtë që bashkëpunon me kompaninë “Zdrava shpk”.
“Po vjelim domaten për herë të parë për këtë vit në bashkëpunim me kompaninë Zdrava, një sipërfaqe prej 20 hektarësh dhe pretendojmë të vjelim diku te 800 ton deri në 900 ton për industri”, u shpreh ai.
Saimir Zdrava, menaxher i kompanisë “Zdrava Group” u shpreh se kompania e ka shtrirë tregun në 37 vende të botës ku eksporton produkte të ndryshme siç janë turshitë, salcat dhe reçelërat.
“Jemi në fshatin Lekaj ku prej gjashtë vitesh kemi bashkëpunimin me fermerin Xhuljano Doda. Çdo vit marrim diku në 600 deri në 700 ton domate. Përpunojmë koncentratin e domates, salcën e domates për gatim dhe lëngun e domates”, shtoi ai.





