-81 vite jetë, një kampion i madh noti dhe një durrsak që nuk meriton heshtjen

Nga BUJAR QESJA

Ka njerëz, që koha i vendos në vitrinë. Ka të tjerë, që i lë paksa në hije si Shyqeri Qepali edhe pse kanë lënë gjurmë të forta në historinë e qytetit dhe të sportit.

Shyqja mbushi 81 vjeç. Nuk është vetëm ditëlindje që duhet uruar, por edhe rast, për të kthyer kokën pas, për të hapur faqe të historisë së sportit durrsak dhe për të nxjerrë nga kujtesa, një emër që dikur jehonte në pishina, në det dhe në tribunat e garave kombëtare.

Shyqeri Qepali. Jo Gjepali, siç është shkruar apo shqiptuar gabimisht në disa raste. Mbiemri i tij është Qepali. Por çuditërisht, edhe ai tingëllim i vjetër “Gjepali” ka mbetur diku në kujtesën e njerëzve. Emër i lidhur me një figurë të madhe sportive, është përsëritur aq shumë, sa edhe gabimi ka krijuar një lloj nostalgjie. Por tani kur shkruajmë për të, duhet ta themi qartë, kampioni quhet Shyqeri Qepali. Dhe emri i tij meriton të kujtohet. Jo vetëm si emri i një notari të dikurshëm, por si emri i një prej figurave më të spikatura të notit shqiptar të viteve ’60-të.

Nga Currilat tek froni i kampionit

Shyqeri Qepali nisi të notonte që në moshën 11-vjeçare. Për një djalë durrsak, deti nuk ishte thjesh një peizazh. Ishte shkollë. Ishte lojë. Ishte pasion. Ishte edhe një mënyrë për të kuptuar trupin, forcën, ritmin dhe kufijtë e vetvetes.

Currilat do të bëheshin nga bazat e tij të stërvitjes dhe të notimit. Aty, ku sot shumëkush shkon për të shijuar detin, diellin dhe nostalgjinë e Durrësit të vjetër, një brez djemsh mësonte të luftonte me dallgët, me kilometrat dhe me kronometrin. Në atë mjedis u formua edhe Shyqeriu.

Dhe nuk vonoi shumë.

Që në moshën 14-tëvjeçare, mori pushtetin e kampionit.

Ishte vetëm një djalë, por në ujë sillej si një notar i pjekur. Forca, shpejtësia, këmbëngulja dhe sidomos përkushtimi në stërvitje, e çuan shumë shpejt drejt majës. Pas tij qëndronte edhe puna e trajnerit Sul Tufa, emër i rëndësishëm në përgatitjen e këtij kampioni.

Nga viti 1959-të deri në vitin 1967-të, Shyqeriu do të ishte nga emrat dominues të notit shqiptar.

Një periudhë tetëvjeçare.

Tetë vite kampionate, rekordesh, garash dhe përballjesh.

“Flutura e detit”

Në historinë e sportit, ka pseudonime që lindin nga reklama dhe ka të tjera që lindin natyrshëm nga dashuria e publikut. Për Shyqeriun, lindi një emër që do të mbetet gjatë në kujtesën sportive,

“Flutura e detit”. Ishte viti 1962. Garat kombëtare zhvilloheshin në Durrës dhe spikeri i tyre, Ramazan Njala, e pagëzoi kështu.

Nuk ishte metaforë e zakonshme. Shyqja garonte në stilin flutur, nga disiplinat më të vështira dhe më spektakolare të notit.

Dhe ishte vërtet një “flutur” mbi ujë. Emërtimi nisi në Durrës, por nuk mbeti në Durrës. U lakua edhe në arenën kombëtare.

“Flutura e detit” u bë Shyqeri Qepali. Dhe pas këtij emri, fshihej një kampion i vërtetë.

Kampion dhe rekordmen kombëtar

Shyqeri Qepali dominoi veçanërisht në garat 100 dhe 200 metra stil flutur, ku u bë kampion dhe rekordmen kombëtar. Por repertori i tij, nuk kufizohej vetëm te flutura. Garoi edhe në 100 dhe 200 metra stil bretkosë, tjetër disiplinë kërkuese e notit.

Në atë kohë sporti shqiptar, nuk kishte kushtet e sotme. Nuk kishte teknologji moderne stërvitjeje. Nuk kishte pishina të shumta olimpike. Nuk kishte laboratorë performance, pajisje të sofistikuara apo përgatitje shkencore siç i njohim sot. Kishte pasion.

Kishte trajner. Kishte disiplinë. Kishte det.

Dhe kishte kampionë që e donin sportin. Shyqeriu ishte njëri prej tyre.

Notoi në pishinat e Korçës, Pogradecit, Shkodrës e Sarandës, ndërsa Durrësi kishte për të një rëndësi të veçantë. Durrësi ishte shtëpia. Deti ishte stadiumi i parë. Currilat ishin një lloj akademie e hapur.

Dhe zadrat e Durrësit ishin pjesë e asaj bote sportive që sot, për shumëkënd, mbetet kujtim i bukur i qytetit të dikurshëm.

Viti i shkëlqimit 1962

Në moshën 17-të vjeçare, në vitin 1962, Shyqeri Qepali u kthye në kampion absolut. Kjo nuk ishte vetëm një fitore e radhës.

Ishte konfirmimi se ai kishte hyrë, në një tjetër dimension të sportit. Nga një djalë, që kishte nisur të notonte në moshën 11-të vjeçare, tashmë ishte shndërruar në një kampion të afirmuar kombëtar.

Në ato vite, emri i tij ishte i njohur për sportdashësit.

Durrësi e njihte. Noti shqiptar e njihte. Kronometrat e njihnin.

Dhe rekordet mbanin emrin e tij.

Çdo kampion, ka një ditë kur dikush tjetër i afrohet. Çdo rekord, ka një ditë kur thyhet. Në vitin 1967, notari i fuqishëm vlonjat Jani Hondro theu rekordet e Shyqeri Qepalit. Në një kuptim, ky ishte fundi i një epoke. Por në një kuptim tjetër, ishte prova më e mirë se sa lart kishte qenë Shyqeri.

Një rekord thyhet vetëm atëherë, kur dikush tjetër arrin të kapërcejë një kufi të vendosur më parë. Dhe kufijtë që Hondro kapërceu kishin mbajtur emrin e Qepalit.

Kështu ecën sporti.

Kampionët zëvendësohen, rekordet thyhen, brezat kalojnë. Por historia nuk duhet të harrojë, ata që vendosën rekordet e para.

Nga notari tek gjyqtari i garave

Në fund të viteve ’60-të, Shyqeri u largua nga noti aktiv. Por nuk u largua nga sporti. Vazhdoi si gjyqtar dhe kryegjyqtar garash.

Është një detaj i rëndësishëm. Sepse tregon se sporti për të, nuk ishte vetëm episod rinie. Ishte edhe mënyrë jetese.

Ai që kishte qenë në ujë, që kishte përjetuar emocionin e nisjes, tensionin e kronometrit dhe luftën për medalje, më pas qëndroi pranë garave nga një pozicion tjetër.

Nga sportisti, u bë njeriu që garantonte rregullin e sportit. Nga ai që priste vendimin e gjyqtarit, u bë ai që merrte vendime. Kështu vazhdoi lidhja e tij me notin.

Tjetër jetë, oficeri dhe instruktori

Jeta e Shyqeri Qepalit, nuk u kufizua tek pishina. Ai ishte oficer. Për rreth 22 vjet, shërbeu si instruktor ushtarak në Shkollën “Skënderbej” dhe më pas në Shkollën e Bashkuar.

Një periudhë e gjatë e jetës së tij.

Mund të thuash se këtu, sporti i shërbeu profesionit dhe profesioni i shërbeu karakterit. Një kampion i vërtetë, nuk është vetëm ai që fiton në ujë. Është edhe ai që mëson të jetojë me disiplinën, përgjegjësinë, durimin dhe përmbajtjen.

Dhe Shyqeri i kishte këto cilësi.

Pas lirimit nga ushtria, erdhi dhe punoi në Portin e Durrësit elektromekanik.

Një tjetër kapitull. Një tjetër punë. Një tjetër jetë. Por i njëjti njeri. I qetë. I thjeshtë.

I matur. Pa zhurmë.

Këtu qëndron edhe arsyeja pse Shyqeri Qepali është disi i lënë në hije. Nuk është njeri i zhurmës. Nuk e ka kërkuar vëmendjen. Nuk ka qenë nga ata, që e tregojnë shumë veten.

Ka bërë atë, që ka ditur të bëjë. Ka punuar, ka garuar, ka fituar, ka shërbyer, ka edukuar breza dhe më pas ka jetuar thjeshtë. Por historia e sportit, nuk duhet shkruar vetëm për njerëzit që kanë ditur të qëndrojnë në qendër të vëmendjes.

Duhet shkruar edhe për ata, që kanë qenë në qendër të garës.

Shyqeri është njëri prej tyre. Në vitet e rinisë së tij, ai ishte kampion. Ishte rekordmen. Ishte simbol i notit durrsak. Ishte “Flutura e detit”.

Tani është 81-vjeçar, që mbart mbi supe pjesë të historisë së sportit shqiptar.

Durrsaku që meriton të kujtohet

Durrësi ka shumë histori sportive. Ka futbollistë. Ka atletë. Ka boksierë. Ka volejbollistë. Ka notarë.

Ka njerëz që kanë bërë emër jashtë qytetit.

Por ka edhe një Durrës tjetër, atë të kujtesës.

Atë të njerëzve që dikur ishin të rinj dhe sot janë të moshuar.

Atë të Currilave. Atë të plazhit të dikurshëm. Atë të zadrave. Atë të garave kombëtare. Atë të spikerëve, që i thërrisnin emrat e kampionëve dhe publiku brohoriste. Në këtë Durrës të kujtesës, Shyqeri Qepali ka vendin e tij. Një vend, që nuk duhet zënë nga harresa.

Nuk është thjeshtë “një ish-notar”. Ai është një nga njerëzit, që e bënë notin durrsak të flasë në shkallë kombëtare.

Në 81vjetorin e lindjes, nuk ka nevojë t’i themi Shyqerit shumë fjalë të mëdha. Vetë ka jetuar një jetë të thjeshtë. Prandaj edhe urimi duhet të jetë i thjeshtë. Por i merituar.

Gëzuar 81 vjetorin, Shyqeri Qepali!

Ndoshta jeta, nuk të ka mbajtur gjithmonë në dritën që meriton. Ndoshta emri yt, nuk përmendet aq sa duhet. Ndoshta edhe mbiemri, yt është deformuar herë pas here.

Por kujtesa e vërtetë, nuk varet nga zhurma. Ajo qëndron. Dhe historia e sportit durrsak, do të ketë gjithmonë një vend për Shyqeri Qepalin – “Fluturën e detit”.

Bujar Qesja

Voskopojë: 21 gusht 2026