Një 39-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Fier, pasi u konstatua duke ndërtuar pa leje një objekt të destinuar për aktivitet bar-kafe në plazhin e Semanit.

Gjatë kontrolleve në terren, policia evidentoi gjithashtu se ai dyshohet se kishte punësuar në mënyrë të paligjshme tre persona të tjerë.

Fier

Po ndërtonte pa leje një objekt në plazhin e Semanit, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë konstatuar një rast të ndërtimit pa leje në plazhin e Semanit.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë konstatuan se në zonën e plazhit të Semanit po ndërtohej një objekt i destinuar për aktivitet bar-kafe.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi J. M., 39 vjeç, banues në fshatin Gjokalli, Fier, kishte nisur punimet për ndërtimin e objektit pa u pajisur me lejen përkatëse nga organet kompetente.

Gjithashtu, nga veprimet e kryera dyshohet se ky shtetas kishte punësuar në mënyrë të paligjshme edhe 3 shtetas të tjerë.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, shtetasin J. M., 39 vjeç, për veprat penale “Ndërtim pa leje”, dhe “Punësim i paligjshëm”.

Kontrollet dhe verifikimet në terren vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje dhe të veprave penale kundër mjedisit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.