Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me vendimin e GJKKO-së për të zbutur masën e sigurisë në “detyrim paraqitje” ndaj ish vartësve të Belinda Ballukut, ish kreut të ARRSH-së Gentian Gjyli, dhe ish- administratorit të KESH, Erald Elezi.
Në një reagim në rrjete sociale, ai shkruan se drejtësia po jep sinjale në favor të ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa dyshohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash.
“Drejtësia po jep sinjale të reja në favor të Belinda Ballukut, e marrë e pandehur për abuzim me 1.1 miliardë euro tendera dhe për fshehje pasurie. Teksa gjithë opinioni është i habitur se si SPAK nuk ka ndërmarrë hapa të reja ndaj ish-zëvendëskryeministres duke e lënë të lirë, vijnë sinjale për lehtësime të tjera.”, shkruan ai.
Këlliçi drejton gishtin nga SPAK, duke thënë se iu hapi vetë dyert e qelisë.
“Po pse shkuan në shtëpi drejtorët e Ballukut, Gjyli dhe Elezi? Sepse kanë kaluar afatet e hetimit. Pra SPAK ka lejuar që këto afate të mos respektohen. U ka hapur vetë dyert e qelisë. Ky është një zhvillim shqetësues për drejtësinë dhe në favor të korrupsionit.”, shton ai.
Sipas tij, njerëzit po zhgënjehen nga drejtësia e re, nga e cila kanë pritur shumë.
REAGIMI I PLOTE:
Drejtësia jep sinjale të reja pro Ballukut dhe korrupsionit!
Drejtësia po jep sinjale të reja në favor të Belinda Ballukut, e marrë e pandehur për abuzim me 1.1 miliardë euro tendera dhe për fshehje pasurie.
Teksa gjithë opinioni është i habitur se si SPAK nuk ka ndërmarrë hapa të reja ndaj ish-zëvendëskryeministres duke e lënë të lirë, vijnë sinjale për lehtësime të tjera.
Bashkëpunëtorët e saj kryesore në aferat e rrugëve kanë lënë qelinë dhe janë nën masë më të zbutur.
Po pse shkuan në shtëpi drejtorët e Ballukut, Gjyli dhe Elezi? Sepse kanë kaluar afatet e hetimit. Pra SPAK ka lejuar që këto afate të mos respektohen.
U ka hapur vetë dyert e qelisë. Ky është një zhvillim shqetësues për drejtësinë dhe në favor të korrupsionit.
Nëse SPAK vijon me këto ritme, zyrtarët e lartë dhe Balluku janë duke fituar një imunitet të ri dhe ndodhemi kështu para një pabarazie para ligjit, që e kemi financuar me plot 500 milionë dollarë nga taksat e shqiptareve.
Një tjetër zhgënjim nga drejtësia e re, nga e cila njerëzit kanë pritur më shumë!
Prej 82 ditësh qytetarët në protestë kërkojnë hetim të korrupsionit, luftë ndaj pandëshkueshmërisë, ndërkohë që zyrtarët e zullumit qeveritar po privilegjohen e po fitojnë lirinë.





